Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, 31,905 raste të koronavirusit janë konfirmuar gjatë 24 orëve të kaluara në Shtetet e Bashkuara.
Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi i ri në shtetin me më së shumti raste shkoi në 2,220,961, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan 691 viktima dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 119,112.
Në këto shifra përfshihen rastet nga 50 shtetet e ShBA-së dhe rastet e personave të riatdhesuar.
Shtetet e Bashkuara janë në vendin e parë në botë, si për numrin e personave të infektuar, ashtu edhe për shifrën e viktimave.
Përhapja e pandemisë në këtë shtet është shoqëruar me përplasje mes ekspertëve mjekësorë dhe presidentit Donald Trump, i cili i ka nxitur njerëzit që për ta luftuar sëmundjen e re të përdorin zbardhues dhe ilaçe me efekte të pakonfirmuara.