“S’i takon Kosovës të vendosë se kush e përfaqëson BE-në në dialog”

Qasja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi karshi përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi i ka zemëruar disa diplomatë në BE, të cilët thonë se “nuk e dinë arsyen pse Thaçi sillet në këtë mënyrë”, por “shpresojnë që edhe ai do të bashkëpunojë me Lajçakun, i cili e ka mbështetjen e shteteve kryesore të BE-së”.

Thaçi më parë ka përmendur edhe votimin e Sllovakisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe Interpol, edhe pse, kanë thënë burimet nga autoritetet e Kosovës, Lajçak kishte dhënë premtime se vendi i tij nuk do të jetë kundër, transmeton KOHA.

Në BE pohojnë se “nuk i takon Kosovës të vendosë se kush do ta përfaqësojë Bashkimin Evropian”, por e pranojnë se ka pasur edhe zëra kritikë nga Prishtina kur u kuptua se Lajçak do ta marrë këtë post, dhe atë nga një ish-ministër tjetër, vendi i të cilit ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës, nga përfaqësuesi tashëm i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Reklama e sponzorizuar

Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se “nga pala kosovare asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë kundërshtim formal ndaj emërimit të Lajçakut”, prandaj edhe habiten me sjelljen e tashme të presidentit Thaçi.

Sa i përket vizitës që pritet të ndodhë javën e ardhshme, në Prishtinë, të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Thaçi ka thënë se rreth takimit me të do të përgjigjet pasi të njoftohet me agjendën dhe prioritetet e tij. Ka shtuar se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar rreth vizitës së Lajçakut.

“Ende zyrtarisht s’jam i informuar, por do ta shohim agjendën dhe prioritetet që i ka në përkushtimin e tij si përfaqësues i BE-së. Pastaj do të përgjigjem si president i vendit. Por, për neve është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtarë që merren me këtë çështje ta trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”.