Sindikatat paralajmërojnë masa pas shfuqizimit të Ligjit për Paga

Dy nga sindikatat më të mëdha në Kosovë, ajo e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, kanë paralajmëruar masa pas shfuqizimit të Ligjit për Paga.

Teksa Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka paralajmëruar masa të menjëhershme, nëse s’ka reflektim nga institucionet, ajo e Arsimit ka paralajmëruar se, nëse kalon situata e pandemisë, shtatori mund të sjellë greva të punëtorëve të arsimit.

Blerim Syla nga FSShK-ja ka thënë se janë zhgënjyer nga ky vendim i Gjykatës.

Reklama e sponzorizuar

“Jemi mbledhur urgjentisht për hapat e mëtejmë. Sonte po ju tregoj se federata ka marrë vendim që menjëherë t’i adresohemi kryeministrit për të sqaruar situatën sepse jemi në situatën më të rëndë ekonomike. Jo vetëm në pandemi, por jemi anashkaluar me vite. Ky vendim përfundimisht ka zbehur edhe punën dhe vullnetin tonë për punë. Do të përpiqemi të gjejmë modalitete. Kërkesa decidive e parë është për rritje të pagave. S’kemi më kohë për të pritur ligjin. Siç duket jemi të prirë që ligjet t’i votojmë por të mos i implementojmë. Është kërkesë e anëtarësisë dhe shqetësim i tyre që të kemi rritje të pagave. Presim reflektimin e qeverisë, në të kundërtën do të kemi masa të tjera”, ka thënë ai në një konferencë për media mbrëmjen e së martës.

Syla ka kërkuar edhe përgjegjësi nga institucionet e shtetit për këtë vendim. Ka shtuar se ka pritur amendamentim të ligjit, por jo shfuqizim të plotë të tij.

“Presim takim urgjent me kryeministrin në dy ditët e ardhshme. Kam frikë se dita e hënë do të na zë me reagime më të rrepta sindikale. S’kemi kohë më të presim. Kërkojmë rritje të pagave. Që katër vjet s’ka pas dhe nëse s’ka, pavarësisht situatës, do të kalojmë në masa më radikale”, ka paralajmëruar ai.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizim të Ligjit për Paga, Jasharaj e ka cilësuar si goditje të papritur e zhgënjyese për sektorin e arsimit.

Në një deklaratë për KOHËN, Jasharaj ka thënë se SBASHK-u ka pritur që Kushtetuesja do t’i thotë “po” Ligjit për Paga, e me “ndonjë goditje për ndonjë nen që do të mund të ndryshohej më pas nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”.

Ai ka paralajmëruar se shtatori mund ta gjejë Kosovën me greva në arsim.

“SBASHK-u vepron përmes organeve të veta. Duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë anëtarët, duke bashkëbiseduar me ta, po them se ajo që më frikëson, dhashtë Zoti ta mposhtim pandeminë, por shtatori do të na sjellë përplasje sepse mësimdhënësit kanë pritur mjaft. S’ishin të kënaqur e të gjithë e dinë se s’ishin të kënaqur me koeficientet. E keqja është se ne kemi qenë më të pakënaqurit madje kemi pas edhe protestë që ligji të tërhiqej e kur pamë se s’po ndodh sepse sindikatat ishin gjetur mirë e pati edhe çështje që ndërlidheshin me Buxhetin dhe Ligjin e Pagave zhvilluam betejën brenda mundësive tona për të ndryshuar koeficientet. Nëse kthehet në zero të gjithë do të jenë të dëshpëruar sepse do të hapet Kutia e Pandorës e as ne arsimi që jemi pajtuar me to as të tjerët s’do të pajtohen dhe do të ketë më pas betejë të ashpër të koeficienteve. Është shumë e keqe sepse s’ishte askush krejtësisht i pajtuar e ligji do të vihet në pikëpyetje. Do të jetë luftë e vërtetë e paarsyeshme e sindikatave dhe shtetit. Ka mundur të përmbyllen dhe pjesët që ishin në atë ligj të përmirësoheshin duke u amandamentuar”, ka deklaruar ai.

Sipas Jasharajt, Kushtetuesja ka mundur të jetë e ndikuar për të marrë këtë vendim “qoftë nga pandemia, qoftë nga politika”.

Sindikatat e Arsimit dhe Shëndetësisë kanë paralajmëruar takim me ato të Policisë dhe Doganave për ndërmarrjen e masave pas shfuqizimit të këtij vendimi.

Të martën Kushtetuesja shpalli të pavlefshëm Ligjin për Pagat duke thënë se nuk kishte harmonizuar pagat në të gjithë sektorët duke theksuar përjashtime për disa institucione. Vetëm pesë ditë pasi kishte hyrë në fuqi Ligji i ri për paga, në dhjetor të 2019-s, Avokati i Popullit e kishte dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Këtij institucioni i ishte kërkuar që të vendosë masë të përkohshme ndaj zbatimit të këtij ligji. Kjo kërkesë ishte bërë pasi Avokati i Popullit kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për paga, duke përfshirë këtu edhe ankesat nga punëtorët në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.