S’ka datë zyrtare për rihapjen e Aeroportit të Prishtinës

Ende nuk ka një datë zyrtare se kur do të lejohen fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ndërkohë që janë mbi 700 mijë udhëtarë që nuk kanë mundur të udhëtojnë shkaku i pandemisë së koronavirusit.

“Me lejimin e fluturimeve në arritje do të jemi plotësisht operativ, besoj që shumë shpejt do të hapet aeroporti”, ka thënë zëdhënësja e aeroportit Valentina Gara në konferencë për media.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë kësaj mbi 700 mijë udhëtarë nuk kanë mundur të udhëtojnë shkaku i pandemisë, ndërkohë ka interesim nga kompanitë për rinisjen e fluturimeve, të cilat janë ndërprerë për shkak të COVID-19.

Reklama e sponzorizuar

“Deri më tash 700 mijë udhëtarëve u është pamundësuar që të udhëtojnë. Për shkak të vendimit për të ndërprerë qarkullimin, kemi pasur pak fluturime. Ka shumë kompani që kanë shprehur gatishmërinë për të operuar”, ka thënë Gara.

Ajo ka folur edhe për masat që ka ndërmarrë aeroporti për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Do të matet temperatura e gjithë udhëtarëve. Do të mbahet distanca sociale, ku ne kemi vendosur shenjat. Udhëtarët nuk do të lejohen pa maska në terminal. Bagazhet e tyre do të dezinfektohen. Jemi në pritje të dritës së gjelbër për fillim të operimit”, ka shtuar Gara.

Në konferencë ajo ka bërë të ditur se nuk ka pasur largim të punëtorëve nga puna gjatë kësaj pandemie.