Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) i bëri thirrje Qeverisë së kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, që t’i shfuqizojë disa rregulla të sistemit të azilit, duke thënë se disa dispozita të tyre mund t’i shkelin ligjet ndërkombëtare.
Një zëdhënës i Qeverisë hungareze nuk pranoi të komentonte menjëherë.
Muajin e kaluar, Hungaria ka mbyllur të ashtuquajturat zona tranziti të migrantëve në kufijtë e saj, ka liruar rreth 300 refugjatë që qëndronin atje, por, në të njëjtën kohë, ka shtrënguar rregullat, duke ua ndaluar hyrjen aplikantëve të ardhshëm për azil.
Rregullat e reja kërkojnë që azilkërkuesit t’i paraqesin aplikacionet e tyre në konsullatat e vendeve fqinje dhe jo në kufirin hungarez.
“Kjo mund t’i ekspozojë azilkërkuesit ndaj rrezikut të refuzimit dhe keqtrajtimit, çfarë do të ishte shkelje e Konventës së Refugjatëve të vitit 1951 dhe e instrumenteve të tjera ndërkombëtare dhe rajonale të të drejtave të njeriut, në të cilat Hungaria është palë”, tha UNHCR-ja.
“Qasja efektive në territor është një parakusht thelbësor i së drejtës për azil”, thuhet në deklaratë.
UNHCR-ja i kërkoi Budapestit që të shfuqizojë aktin dhe ta vendosë sistemin e azilit në përputhje me ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe me ligjet e Bashkimit Evropian.
Në kulmin e krizës së migrantëve në Bashkimin Evropian më 2015, Orban, një nga kundërshtarët më të ashpër të imigracionit, ka urdhëruar mbylljen e kufirit jugor të Hungarisë, duke ua bllokuar rrugën qindra-mijëra migrantëve.