Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit për krime dhe pengim të punës së Gjykatës Speciale.
Sipas Veselit, lëshimi i deklaratës nga Prokurori Special para se të konfirmohet akuza ndaj tij dhe presidentit Hashim Thaçi me pretendimin se ata kanë tentuar bllokimin e punës së kësaj gjykate, “janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”.
“Zyra e Prokurorit Special në kuadër të Dhomave të Specializuara ka lëshuar sot një deklaratë për shtyp, ku njofton se ka ngritur pretendime për aktakuzë ndaj meje dhe Presidentit Thaçi. Në një veprim të paprecedentë, Prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon. Në këtë deklaratë, Prokurori përpiqet ta arsyetojë vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm, duke pretenduar se unë dhe Presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara. Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Po ashtu, nuk ka kurrfarë baze për pretendimet për pengim të punës së gjykatës. Dhe është shqetësim i thellë gjuha e tillë e adresimit me të pavërteta”, ka thënë Veseli në një konferencë për media.