Vuçiq për aktakuzën ndaj Thaçit: Duhet të vetëpërmbahemi për hir të serbëve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ai dhe serbët duhet të vetëpërmbahen në lidhje me aktakuzën e Gjykatës Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai në një konferencë për media para ambasadës së Serbisë në Bruksel, ku sot e dje zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të BE-së, tha se këtë po e bën për siç tha “mbrojtur serbët që janë në Kosovë”.

“Për ne më së miri është të mbetemi të rezervuar. Ne e dimë çfarë krimesh janë bërë. Mirë është që edhe për ta të ketë drejtësi. Mirëpo me këtë përmbajtje ne mbrojmë serbët në Kosovë. Lehtë e kemi ne në Beograd, por vështirë ata në Shtërpcë dhe në vende tjera”, tha Vuçiq, përcjell B92.net.

Reklama e sponzorizuar

Vuçiq po ashtu pret që së shpejti të rinisë dialogu. Një takim Kosovë – Serbi ishte paraparë për 27 qershor në Washington, por u anulua pas ngritjes së aktakuzës ndaj Thaçit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

“Së shpejti presim të vazhdojë dialogu, para tij është Samiti në Francë. Qëllimi është se si Serbia të përshpejtojë rrugën e saj evropiane dhe të marrë garancinë nga BE-ja se nëse plotëson kushtet, të marrë edhe dritën jeshile”, shtoi ai.

Presidenti serb shpreson që deri më 2026, vendi i tij të bëhet anëtar i BE-së.

“Jam i bindur se me optimizëm po futemi në një fazë të re të marrëdhënieve me BE-në. Besoj se deri në fund të mandatit të ardhshëm të Qeverisë të mbyllim bisedimet për anëtarësim, që i bie se do të ishte reale që deri më 2026 të bëhemi shtet anëtar i BE-së”, shtoi Vuçiq.