Zemaj në Infektivë pas shtimit të rasteve me COVID-19: Do të rekrutohet staf shtesë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka vizituar sot në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare për të parë nga afër si po menaxhon kjo klinikë dhe të tjerat me numrin në rritje të rasteve me Covid-19, të cilat janë në tretman spitalor.

Zemaj është informuar nga drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu dhe drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha për numrin e shtuar të rasteve të hospitalizuara në këtë klinikë, ku sot kishte 104 pacientë, prej të cilëve 101 të konfirmuar me Covid-19, por edhe për një numër të caktuar pacientësh, tashmë të hospitalizuar në Klinikën e Pulmologjisë, e cila bashkë me Klinikën e Dermatovenerologjisë dhe Qendrën e Mjekësisë Sportive, janë vënë në dispozicion të trajtimit të rasteve me Covid-19.

“Me qëllim të përforcimit të kapaciteteve profesionale Ministri Zemaj ka thënë se përveç stafit aktual të këtyre klinikave, një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësor që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar”, thuhet në njoftimin e MSh’së.

Reklama e sponzorizuar