Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi gjatë konferencës për medie tha se kriza ekonomike dhe sociale e qytetarëve po thellohet pasi është ndërprerë ndihma financiare prej 170 eurosh për ta, teksa përmendi se Qeveria e Kosovës po vazhdon të emëroj ende zëvendësministra dhe këshilltarë.
Abrashi foli po ashtu edhe për masat që po merren nga Qeveria Hoti, për të cilat u shpreh se janë të pamenduara mirë dhe sipas tij numrat e të infektuarve po rriten.
“Ndërprerja e ndihmës financiare prej 170 euro është duke e thelluar krizën sociale e ekonomike të qytetarëve ndërkohë që shpenzimet e luksit të Qeverisë e institucioneve të vendit nuk janë ndaluar e nuk janë kufizuar. Vazhdojnë të emërohen këshilltarë, vazhdojnë të emërohen zëvendësministra që i ka kaluar çdo numër normal, çdo shpenzim të arsyeshëm, kurse qytetarët lihen në mjerim”, tha Abrashi.
Deputeti i LVV-së tha se Kosova gjendet në një kaos dhe se Qeveria nuk e di si do të dal në krye me këtë.
“Kemi të bëjmë me një kaos, të cilin kjo Qeveri nuk e ka as haber se si t’i dal ne krye. Masat që po merren me menaxhimin e pandemisë, janë të pastudiuar mirë, të paplanifikuara dhe po merren ad-hoc, prandaj kemi një situatë çfarë e kemi, numrat e të infektuarve janë alarmantë, numrat e atyre që kanë vdekur po ashtu po rriten, ndërkohë si kundërpërgjigje kemi vetëm publikimin e një manuali të cilin jam shumë i sigurt që as ministri vet nuk e ka lexuar”, tha Abrashi. /Telegrafi/