Përfaqësuesja e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka folur edhe për procesin e vettingut.
Ajo ka thënë se ky proces nuk duhet të përdoret si mjet politik që një përbërje qeveritare të spastrojë anëtarë të qeverive të mëparshme apo prej shërbyesve të mëparshëm civilë.
Sipas saj, vettingu si i tillë mund të jetë mjet shumë i rëndësishëm, por duhet ndërmarrë me kujdes të madh, duke shtuar se i njëjti duhet të bazohet mbi standarde të krijuara prej organizatave të specializuara.
“Një shembull: Këshilli i Evropës. Vettingu nuk duhet të përdoret si mjet politik që një përbërje qeveritare të spastrojë anëtarë të qeverive të mëparshme apo prej shërbyesve të mëparshëm civilë. Prandaj, vettingu duhet të kryhet, vettingu është kryer në Kosovë, është bërë prej nesh shumë kohë më parë. Gjyqësori disi iu nënshtrua procesit të vettingut. Tani, nëse duhet të kryejmë një vetting të ri, do ta këshilloja për kujdes ministrin e Drejtësisë. Ia kam thënë Albulena Haxhiut kur ishte ministre e Drejtësisë, po ia them edhe Selim Selimit tani: duhet të mendohet me shumë kujdes se mbi çfarë standardesh do të bazohet ky proces, por njëkohësisht nevojitet transparencë dhe besim. Në të kundërtën, do t’i jepet një porosi e tmerrshme qytetarëve të Kosovës, që edhe tani janë skepticizëm rreth mënyrës transparente në të cilën funksionon gjyqësori”, ka thënë ajo.
Ajo thotë se në këtë proces ka raste në të cilat ka arsye për skepticizëm
“Për shembull, e dini se sa raste u bartën nga EULEX-i te gjyqësori në Kosovë dhe u grumbulluan duke mos u procesuar për shumë vjet. Pra, nëse je qytetar në Kosovë dhe do që t’i garantosh të drejtat e tua, duhet të jesh i vetëdijshëm që nëse paraqet një rast gjyqësor nuk do ta dish fundin. Kjo është e frikshme. Nëse je qytetar i zakonshëm i Kosovës, sistemin e drejtësisë e sheh si shembull të përkryer të shtetit të kapur, të cilin BE-ja e ka përmendur në raportet e veta”, ka thënë ajo.
Apostolova flet për ato që po e dëmtojnë shtetin: sundimi i ligjit, numri i zv.ministrave e nepotizmi
Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova vlerëson se Kosova problemin më të madh e ka me sundimin e ligjit. Në fakt, sipas saj, ky është problem në gjithë Ballkanin.
Ajo, në Deskun e KOHËS ka folur edhe për “kapjen e shtetit”, “armatën” e zv.ministrave, nepotizmin dhe të tjerat që po e dëmtojnë shtetin.
“Shoh shumë sfida në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë dhe dua t’i përmend disa prej tyre. Këtu natyrisht nuk dua vetëm të kritikoj, duke thënë se ju duhet ta bëni këtë apo atë gjë. Thjesht dua të them se ne si BE, si partnerët tuaj, si fqinjët tuaj dhe si njerëz që preokupohen me mirëqenien tuaj, jemi thellësisht të përfshirë për t’ju ndihmuar për ta tejkaluar atë sfidë. Sundimi i ligjit është bazë e gjithçkaje. S’mund të përmendet as edhe një fushë e zhvillimit socio-ekonomik në Kosovë që pikënisje nuk e ka sundimin e ligjit. Prandaj, përpjekjet tona janë të përqendruara aty, në radhë të parë. Kemi bashkëpunuar me ju tash e sa vjet, që me ndihmën tonë, të ekspertëve tanë evropianë, të përgatitet legjislacioni të cilin Qeveria ia propozoi Kuvendit për miratim. Pra, ne përzgjedhim metodën që ju përshtatet më së miri, në mënyrë që të harmonizohet legjislacioni i juaj me ‘acquis communautaire’”, tha Apostolova.
Në disa fusha, ajo tha se ka përparim, por në disa jo.
“Njëra prej tyre është reforma e administratës publike. Dua të shpreh kënaqësinë time që zv.kryeministri i parë, Besnik Tahiri, me të cilin kemi një përvojë të gjatë bashkëpunimi në pakon e administratës publike, është duke e shikuar me vëmendje të veçantë. E arsyeja është se nuk mund të zhvillosh institucionet nëse nuk ke administratë publike të përgatitur mirë. E dini shumë mirë që gjatë viteve, Kosova ka pasur aq shumë ministra, numrin e zv.ministrave as që dua ta përmend, kam qenë e zëshme rreth asaj dhe mendoj se kjo është e rrezikshme dhe dëmtuese për administratën publike në Kosovë. Pasi, nëse doni qeveri funksionale, atëherë duhet që të gjithë njerëzit të funksionojnë si ekip, që do të thotë jo vetëm ministrat, por edhe administratat e tyre duhet ta ketë një strategji, të flasin me një zë të vetëm”, tha ajo.
Ajo ka treguar edhe raste që e kanë shokuar gjatë bashkëpunimit me qeveritarët kosovarë.
Ka përmendur numrin e madh të zv.ministrave de mosbashkëpunimin e tyre.
“… dhe dua të them se kam parë në disa përbërje qeveritare, s’dua të përmend shembuj, por t’jua tregoj disa ngjarje që për mua ishin paksa shokuese: Ka pasur raste kur e kam takuar një ministër bashkë me një numër të madh zv.ministrash dhe aty e kam kuptuar se ata nuk ishin ulur kurrë bashkë për t’u takuar rreth menaxhimit dhe për të diskutuar se cilat janë prioritetet e tyre”, është shprehur Apostolova.
Ajo thotë se nuk ka logjikë nëse partitë politike synojnë kah një ekzekutiv jofunksional. Një gjë e tillë do t’i dëmtonte edhe interesat e tyre politikë, sipas saj.
“Nuk mund të kesh ekonomi që zhvillohet, nuk mund të kesh mënyrë të drejtë në të cilën institucionet veprojnë për të siguruar përfitime ekonomike për Kosovën, përfshirë partitë politike dhe anëtarët e tyre, nëse gjendja bllokohet si në shumë raste. Prandaj mos u befasoni që ne si BE, e tërë bashkësia ndërkombëtare, kemi qenë të zëshëm. Pasi, e kemi parë në shumë raste në vendet tona dhe këtë po e bëjmë hapur: Nuk duam t’i përsërisni të njëjtat gabime. Por, sundimi i ligjit nuk ka të bëjë vetëm reformën e administratës publike. Sundimi i ligjit përfshin standarde të larta, në mënyrë që, për shembull, të nxirren përfitime nga projektet tona. E dini shumë mirë se gjatë këtyre katër vjetëve, ne si BE i kemi ndalur disa projekte, pasi e pamë se procedurat e prokurimit ose procedurat e përzgjedhjes së përfituesit nuk ishin transparente”, deklaroi Përfaqësuesja e Posaçme e BE-se në Kosovë.
Ajo ka folur edhe për paratë që BE-ja dhe shtetet anëtare të saj japin çdo vit për Kosovën. Apostolova, thotë se ajo dhe të tjerët japin përgjegjësi për paratë që shpenzohen këtu – 100 milionë euro në vit.
“Do të kisha dashur që shteti im, gjatë procesit të anëtarësimit në BE, ta kishte pasur një përkrahje të tillë bujare. Pra, e keni mundësinë për të përfituar dhe për ta përdorur për agjendën e reformave dhe në të njëjtën kohë duhet t’i respektoni parimet e vëna dhe me këto pako të reja që po jua japim juve. Meqë ra fjala, jemi duke e ridizajnuar IPA-n dhe rreth 50-60 milionë nga IPA, që tashmë i kemi në dispozicion, do t’i ridizajnojmë në atë mënyrë që të përballeni me pasojat e pandemisë në ekonominë tuaj. Por, këtë nuk do ta japim si dhuratë, duam që këto procese të kryhen me standarde të larta dhe transparente të sundimit të ligjit. Po ashtu, do t’ju japim grante”, tha Apostolova.











