Auditori gjen shkelje serioze në prokurimin e ShSKUK-së

Pesëmbëdhjetë gjetje i ka identifikuar Zyra Kombëtare e Auditorit në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. Në raportin për vitin 2019 janë identifikuar shkelje që lidhen me planifikimin dhe realizimin e buxhetit, pagat dhe mëditjet e shumë fusha të tjera. Një tender për pajisje mjekësore peshonte gati 175 mijë euro. Megjithëse ishin blerë pajisjet, ishin lënë në depo.

“Sipas kushteve të kontratës-kornizë ‘Furnizim me pajisje mjekësore -5’ operatori ekonomik ka për obligim të bëjë instalimin dhe funksionalizimin e pajisjeve me një afat të garancisë së tyre prej dy (2) vjetëve. Pajisjet ishin pranuar dhe paguar në vlerën totale të kontratës në muajin nëntor 2019. Gjatë ekzaminimit fizik të pajisjeve kemi vërejtur se një pjesë e pajisjeve në vlerë prej 174,000 eurosh nuk janë instaluar dhe funksionalizuar, por gjendeshin në depo të QKUK-së. Kontrata ishte kornizë dhe kishte fleksibilitet sa u përket porosive”, thuhet në një nga gjetjet e këtij institucioni për ShSKUK-në, raporton KOHA.

Me shumë se 700 mijë euro, sipas ZKA-së, janë shpenzuar nga kategoritë ekonomike joadekuate për shpenzime.

Reklama e sponzorizuar

“Siç kemi paraqitur te theksimi i çështjes, ShSKUK në vitin 2019 përmes planifikimit buxhetor dhe vendimeve gjyqësore ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej 730,805 eurosh në kategori ekonomike joadekuate”, është një tjetër gjetje e paraqitur në këtë raport.

Tenderët e negociuar (pa njoftim publik) janë evidentuar po ashtu si problematikë.