Bajrami: Pas rishikimit të buxhetit do të ekzekutohen pagat prej 170 euro dhe mbulimi i 50 për qind të qirave

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bëtë të ditur se me rishikimin e buxhetit do të ekzekutohen pagat prej 170 eurosh si dhe mbulimi prej 50 për qind të vlerës së qirasë për bizneset.

Ajo tha se Kosova është e detyruar që të hyjnë në borxhe të mëdha për ta menaxhuar situatën e pandemisë COVID-19.

“Me të vërtet ka kaluar një kohë të gjatë që rishikimi i buxhetit është duke u proceduar në Kuvend, desha të falënderoj grupet parlamentare që po priten të votojnë rishikimin e buxhetit. Sa i përket Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike, nuk është e vërtet që Qeveria Hoti ka larguar masën prej 30 eurosh për pensionistët. Kemi një rënie drastike të buxhetit, deri në fund të vitit pritet që të kemi më pak se 230 milionë euro. Jemi të detyruar që të hyjmë në borxhe të mëdha për të menaxhuar pandeminë COVID-19. Shuma prej 170 eurosh do të arrin të ekzekutohen edhe masa e me rastin e dekretimit të Ligjit të buxhetit në Gazetën Zyrtare”, tha Bajrami.

Reklama e sponzorizuar

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Në këtë seancë u votua për shmangie të procedurës së rregullt, ndërsa shefat e grupeve parlamentare po diskutojnë rreth këtij Projektligji.

Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës.

Përveç Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës në këtë Projektligj ka krijuar edhe një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

Me rishikimin e bërë të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh.