Bie regjistrimi i bizneseve të reja në Kosovë

Në tremujorin e dytë të këtij viti janë regjistruar 2,033 ndërmarrje dhe krahasuar me tremujorin paraprak ka një rënie prej 12 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak ka rënie prej 23.4 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.

Kështu thuhet në raportin “Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, tremujori i dytë 2020”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Për sa u përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat gjatë këtij tremujori ishin tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 488 ndërmarrje të regjistruara apo 24 për qind, ndërtimtaria me 328 ndërmarrje të regjistruara apo 16.1 për qind, prodhimi me 309 ndërmarrje të regjistruara apo 15.2 për qind, akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 191 ndërmarrje të regjistruara me 9.4 për qind dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 189 ndërmarrje të regjistruara me 9.3 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 1,963 ndërmarrje të regjistruara, në këtë tremujor me 96.6 për qind, me 5 deri 9 të punësuar janë 53 sosh apo 2.6 për qind, me 10 deri në 19 të punësuar janë 11 ndërmarrje të regjistruara me 0.5 për qind me 20 deri 249 të punësuar janë 6 ndërmarrje të regjistruara me 0.3 për qind, ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka ndonjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave prin Komuna e Prishtinës me 551 ndërmarrje të regjistruara apo 27.1 për qind, ndjekur nga Ferizaj me 164 ndërmarrje të regjistruara apo 8.1 për qind, Prizreni me 153 ndërmarrje të regjistruara me 7.5 për qind, Peja me 127 ndërmarrje të regjistruara me 6.2 për qind, Gjilani me 110 ndërmarrje të regjistruara apo 5.4 për qind dhe Gjakova me 108 ndërmarrje të regjistruara me 5.3 për qind.