COVID-19 rrit shqetësimet për sigurinë ushqimore

Ekspertët kanë paralajmëruar muaj me radhë për kërcënimin që paraqet pandemia e koronavirusit për sigurinë ushqimore globale.

Tani, edhe Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP) dhe Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e OKB-së (FAO) thonë se rreziku është më i keq sesa mendohej në fillim dhe se më të prekurit janë ata që kanë qenë në buzë të urisë për vite me radhë.

Programi Botëror i Ushqimit thotë se 690 milionë njerëz kanë qenë “të kequshqyer në mënyrë kronike” në vitin 2019. Shifra paraqet rritje për 10 milionë nga viti paraprak dhe për rreth 60 milionë gjatë pesë vjetëve të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Për shkak të “konflikteve, ndryshimeve klimatike dhe margjinalizimit ekonomik”, Programi Botëror i Ushqimit thotë se zonat më të cenueshme janë pjesët e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Amerikës Latine, ndërsa Afganistani dhe Pakistani janë po ashtu nën presion.

Në muajin prill, shifrat e publikuara nga Programi Botëror i Ushqimit kanë sugjeruar se pandemia e koronavirusit do t’i vendosë së paku 85 milionë njerëz të tjerë në rrezik të urisë deri në fund të vitit 2020 – përtej qindra milionave që tashmë janë në rrezik.

Këto parashikime janë përpunuar nga ekspertët që përdorin vëzhgues në kohë reale dhe vlerësime të tjera, për të matur ndikimin e izolimeve, të mbylljes së kufijve dhe masave të tjera urgjente të shëndetit publik, që ka shkaktuar koronavirusi.

Tani, tre muaj më vonë, Programi Botëror i Ushqimit ka rishikuar vlerësimin dhe thotë se së paku 135 milionë njerëz më shumë do të përballen me kërcënimin e urisë akute deri në fund të këtij viti, si rezultat i koronavirusit.

Drejtorja për Emergjenca pranë Programit Botëror të Ushqimit, Margot van der Velden, thotë se shifrat e fundit “konfirmojnë frikën tonë dhe pikturojnë një pamje më të zbehtë” të pasojave të koronavirusit.

“Nëse shikoni se çfarë na mban zgjuar gjatë natës, janë vendet me mjedise të tilla komplekse, cenueshmëri të mëdha para-ekzistuese dhe infrastrukturë të dobët, që e kanë gati të pamundur të vendosin masa parandaluese në shkallën që kërkohet. Vendet, si: Republika e Afrikës Qendrore, Sudani i Jugut, ose Jemeni mund të dalin jashtë kontrollit menjëherë”, thotë van der Velden.

Si rezultat, shumë qeveri kanë kërkuar ndihmë nga Programi Botëror i Ushqimit. Kjo ka bërë që organizata të lëshojë një thirrje urgjente për 4.9 miliardë dollarë fonde shtesë, për të siguruar ndihmë ushqimore për 138 milionë njerëz deri në fund të vitit 2020.

Ky do të ishte mobilizimi më i madh i ndihmës ushqimore në historinë e Kombeve të Bashkuara.

“Ndikimi i COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi] te njerëzit kërkon që ne t’i forcojmë dhe t’i zgjerojmë përpjekjet tona për t’iu siguruar më shumë ndihma njerëzve me pasiguri ushqimore”, thotë van der Velden.

Plani i ri i reagimit

“Ajo që është e frikshme është se kulmi nuk ka ndodhur ende”, paralajmëron ajo. Çdo gjë që na mungon tani, do të jetë më e vështirë për t’u rikthyer – mund të jemi duke parë vetëm majën e ajsbergut”, thotë ajo.

Sipas planit të ri të reagimit të Programit Botëror të Ushqimit, më shumë se gjysma e ndihmës do të dorëzohet në formën e parave të gatshme ose kuponëve të ushqimit.

Programi Botëror i Ushqimit thotë se kjo mënyrë do t’iu mundësojë komuniteteve urbane “t’i plotësojnë nevojat e tyre të ushqimit në tregjet lokale, duke i dhënë një stimul edhe ekonomisë”.

“Deri në ditën kur të kemi një vaksinë mjekësore, ushqimi është vaksina më e mirë kundër kaosit”, thotë drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley.

“Pa të, ne mund të shohim rritje të trazirave sociale dhe protestave, rritje të migracionit, thellim të konflikteve dhe kequshqyerje të përhapur në mesin e popullatave që më herët ishin të imunizuara nga uria”, thotë Beasley.

Punëtorët e ndihmës thonë se ndërlikimet e furnizimit me ushqime në mes të konflikteve dhe pandemisë, e rrisin më tej rrezikun e urisë në Nigerinë verilindore, Sudanin e Jugut dhe Jemen.

“Ne me të vërtetë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi dhe të arrijmë te më të cenueshmit sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë van der Velden.

Paralajmërime të ngjashme kanë lëshuar edhe organizata të tjera të ndihmës, në javët e fundit.

Organizata për Ushqim dhe Bujqësi, një agjenci e OKB-së e specializuar për të mposhtur urinë dhe për të rritur sigurinë ushqimore, ka thënë se përveç qindra miliona njerëzve që tani përballen me “pasiguri të rëndë ushqimore”, edhe 16 për qind e popullsisë në botë – apo më shumë se 1.25 miliard njerëz – “kanë përjetuar pasiguri ushqimore në nivele të moderuara” gjatë kohës së pandemisë.

“Njerëzit që kanë pasiguri të moderuara ushqimore, nuk kanë qasje të rregullt në ushqim të mjaftueshëm, edhe nëse nuk vuajnë domosdoshmërisht nga uria”, ka paralajmëruar Organizata për Ushqim dhe Bujqësi më 13 korrik.

Faktorët tjerë

Ajo po ashtu vëren se pasiguria ushqimore është më e lartë te gratë sesa te burrat – një “hendek gjinor në qasjen në ushqim” që është duke u rritur që nga viti 2018.

Organizata për Ushqim dhe Bujqësi thotë se “rikuperimi i pritshëm në vitin 2021” do ta zvogëlonte numrin e të kequshqyerve. Por, shton se kriza e urisë pritet të jetë akoma më e keqe se ajo që ishte parashikuar pa pandeminë e koronavirusit.

“Është e rëndësishme të pranohet se çdo vlerësim në këtë fazë i nënshtrohet një shkalle të lartë të pasigurisë dhe duhet të interpretohet me kujdes”, përfundon Organizata për Ushqim dhe Bujqësi.

Në një raport të botuar më 9 korrik, grupi i ndihmës Oxfam International ka vlerësuar se së paku 121 milionë njerëz të tjerë mund të shtyhen në prag të urisë në vitin 2020, pasi pandemia është duke shkaktuar papunësi masive dhe ndërprerje në prodhim dhe furnizime me ushqim.

Oxfam ka thënë se pandemia COVID-19 ka “shtuar karburantin në zjarrin e një krize tashmë në rritje të urisë” dhe se mund të çojë në 12,000 vdekje shtesë nga uria, çdo ditë, në të gjithë botën.

Në Lahore të Pakistanit, njerëzit presin në radhë për të marrë racione ushqimore falas. Maj, 2020.
Në Lahore të Pakistanit, njerëzit presin në radhë për të marrë racione ushqimore falas. Maj, 2020.

Raporti i Oxfam-it ka identifikuar dhjetë “vatrat e urisë”, ku kriza ushqimore është më e rëndë dhe po përkeqësohet si rezultat i pandemisë.

Këto vatra përfshijnë: Jemenin, Republikën Demokratike të Kongos, Afganistanin, Venezuelën, Sahelin e Afrikës Perëndimore, Etiopinë, Sudanin e Jugut, Sirinë, Sudanin dhe Haitin.

Ekspertë të tjerë paralajmërojnë se nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm shpërndarja e furnizimeve ushqimore, e ndihmave financiare ose e kuponëve, për t’i ndihmuar ata që kanë nevojë.

Sipas tyre, pandemia e koronavirusit ka ekspozuar dobësitë në zinxhirin global të furnizimit me ushqime, që duhet të rregullohen nga baza.

Stephane Monier, shef i investimeve në Banque Lombard Odier, me seli në Gjenevë, thotë se “kufizimet kufitare, izolimet kombëtare dhe masat e distancimit shoqëror – të gjitha e prishin lëvizjen e punëtorëve të fermave dhe fabrikave, të mallrave dhe prodhimeve të gatshme”.

Monier thekson se kuotat e eksportit, si ato që ka vendosur Rusia, eksportuesja më e madhe në botë e grurit, janë krijuar për të mbrojtur prodhimin e brendshëm, porse janë mbushur brenda disa javësh.

Ai thotë se ato kanë krijuar mungesa dhe rritje të çmimeve në ekonomitë në zhvillim, që mbështeten në furnizimet nga Rusia dhe janë “shumë të cenueshme nga çdo goditje e sigurisë ushqimore”. Monier përmend këtu ish-republikat sovjetike në Azinë Qendrore.

“Ka mospërputhje brenda zinxhirit të furnizimit”, thotë ai.

Veprimi Kundër Urisë, një organizatë ndërkombëtare humanitare me seli në Francë, thotë se grupet e ndihmës dhe sipërmarrësit duhet të punojnë së bashku me komunitetet dhe shoqërinë civile për të ndërtuar “sisteme më të qëndrueshme të shëndetit, ushqimit dhe mbrojtjes sociale” dhe për të parandaluar që krizat aktuale të sjellin “pandemi të urisë” në të ardhmen.

“Duhet ta shfrytëzojmë këtë krizë si një mundësi për t’i forcuar këto sisteme, për të parandaluar shpërthimet e ardhshme dhe krizat e urisë”, thotë grupi.

Veprimi Kundër Urisë thotë se transformimi i sistemeve ushqimore dhe i politikave të sigurisë duhet të ketë përparësi, në mënyrë që “të përmirësojmë rezistencën tonë ndaj goditjeve të vazhdueshme dhe të ardhshme”.