Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi, ka propozuar që në kuadër të plotësim-ndryshimit të Ligjit për Buxhetin e vitit 2020, për secilën grua që lind në spitalet publike të ndahet një pako në shumë 50 euro për foshnjat e porsalindura.
Deputetja Musliu ka thënë se këtë iniciativë e ka marrë si pasojë e vështirësive që familjet kosovare kanë në shpenzimet për foshnjat.
“Kjo është iniciativa ime e parë si deputete e Kuvendit përmes së cilit kam propozuar që për secilën grua që lind në spitalet publike të Kosovës, të mbështeten me një pako në shumën prej 50 euro, me produkte të cilat janë esenciale për foshnjat e sapolindura si amandament në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Vitit 2020. Jemi dëshmitarë që familjet kosovare nuk mund t’i përballojnë shpenzimet që mund të dalin për produktet që jenë të nevojshme me rastin e lindjeve. Këtë gjendje e ka rënduar tej mase edhe pandemia Covid-19”, ka thënë ajo.
Ky propozim ajo ka thënë se do të diskutohet në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
“Ky propozim amendament do të diskutohet sot në Komisionin për Buxhet dhe Financa, për të cilin pres që të merr votën pozitive nga ana e deputetëve të këtij komisioni, në mënyrë që në seancën e radhës të miratohet përfundimisht e të hyjë si nën-kategori buxhetore në buxhetin vjetor për këtë vit dhe të vazhdojë e të rritet shuma në vitet e ardhshme”, tha ajo.