Komuna e Prishtinës, Ferizajt, Prizrenit dhe Vushtrrisë nga sot do të kenë kufizim të lëvizjes për shkak të numrit të madh të personave të infektuar me coronavirus. E, përveç këtyre komunave kufizim të lëvizjes mund të ketë edhe në qytete tjera të Kosovës.
Drejtori i zyrës për media në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se rritja e numrit të personave të infektuar me COVID-19, është si pasojë e mosrespektimit të masave mbrojtëse, transmeton Telegrafi.
“I bëjë thirrje qytetarëve të heqin dorë nga disa aktivitete që po ndikojnë në mbjelljen e virusit. Disa aktivitete të ndryshme që kanë ndodhur ilegale, dasmat e ahengje e deri te trendi i lëvizjes në bregdete gjatë vikendit kanë bërë që të kemi situatën e ngarkuar. Shifrat tregojnë se si jemi sjell ne si shoqëri”, deklaroi ai.
Më tej, Hoti tha se Qeveria e Kosovës kishte synim lirimin e masave, por që disa biznese e kanë keqpërdor mirëbesimin e shtetit dhe nuk kanë respektuar masat.