Numri i turistëve nga Kosova, përgjysmë më i vogël se ai i një viti më parë

Numri i vizitorëve nga Kosova është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë, megjithëse për pushuesit nga ky vend, Shqipëria është destinacioni i vetëm për momentin.

Të dhënat e pikës kufitare Vërmicë-Morinë tregojnë se gjatë muajit qershor 2019, afër 270 mijë qytetarë nga Kosova ishin nisur drejt bregdetit shqiptar, ndërsa gjatë qershorit të këtij viti vetëm 130 mijë, shkruan KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Pandemia ka ndryshuar destinacionet turistike të kosovarëve këtë vit. Për dallim nga sezonet e kaluara, kur turistët nga Kosova zgjidhnin mes Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi e Kroacisë, tash destinacioni thuajse i vetëm ka mbetur Shqipëria.

Një pjesë e tyre po shfrytëzon fundjavat për pushime, e një pjesë tjetër po pret të vendosë varësisht se si vijojnë rastet e reja me koronavirus. Disa prej tyre preferojnë të shkojnë në Turqi për shkak të sigurisë, e disa po presin që Mali i Zi ta heqë testin për COVID-19, si kriter për të hyrë në këtë shtet. Një pjesë tjetër zgjedh të mos bëjë fare pushime këtë vit.

Megjithatë, fundjava e parë e muajit korrik ka shënuar një rritje të numrit të pushuesve nga Kosova për në Shqipëri. Mëngjesin e së shtunës janë krijuar radhë të gjata automjetesh, ku nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 07:00 kanë hyrë rreth 8 mijë vetura nga Kosova drejt Shqipërisë.