Eksperti ndërkombëtar: Brenda 18 ditëve në Kosovë mund të presim dyfishimin e rasteve aktive

Politika, sipas ekspertit ndërkombëtar në menaxhimin e informacioneve, Merkur Beqiri, është një nga arsyet e rritjes se rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë.

Ai në një intervistë për KOHËN e së dielës ka folur për arsyet e përshkallëzimit të situatës.

Sipas Beqirit, i cili ka qenë si ekspert i angazhuar në shumë agjenci të Kombeve të Bashkuara, në mesin e tyre në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ka thënë se situate momentale është kritike.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka vlerësuar se populli është braktisur nga liderët politikë atëherë kur ishin në rrugë të mposhtjes së virusit.

KD: Kosova po vlerësohet si një nga vendet me përshkallëzimin dhe rritjen më të madhe të rasteve me COVID-19. Pse, sipas jush, ndodhi ndryshimi i madh i lakores së rasteve?

Beqiri: Përshkallëzimi dhe rritja e pesë javëve të fundit në Kosovë ndodhën për shkak se ne si popullatë e prekur nga pandemia përnjëherë ia hapëm shumicën e rrugëve të mundshme virusit që të përhapet më lehtë, më shpejt, më furishëm. Këtë e bëmë duke u sjellë thuajse pandemia u tejkalua ose nuk ka ekzistuar fare, përderisa ajo ishte ende e pranishme në popullatën tonë.

Unë do të veçoja disa faktorë, të cilët ndikuan rrënjësisht në ndërrimin e sjelljes së individëve dhe komuniteteve në Kosovë.

KD: Cilët janë këta faktorë?

Beqiri: Vakumi politik i krijuar me ndërrimin e qeverive në fillim të qershorit 2020; Lodhja e popullatës nga aplikimi i masave restriktive qoftë në jetën publike, qoftë profesionale; Rraskapitja financiare e popullatës; Shkëputja e lidhjes dhe besimit ndërmjet popullit dhe udhëheqjes politike; Informimi i pjesshëm, sipërfaqësor, çorientues dhe paragjykimet; Shpresa e shumëkujt se do të dalim nga kriza pas “dy javëve” dhe do të mund ta vazhdojmë jetën thuajse nuk ka ndodhur asgjë; Paragjykimi se anëtarët e rrethit të ngushtë familjar dhe social janë të “sigurt”; Dezinformatat rreth pandemisë të përkrahura indirekt nga faktorët e sipërpërmendur ku bëjnë pjesë; Shembuj të gabueshëm dhe të dëmshëm nga persona publikë etj.