Gates: Vaksina të ofrohet për ata që kanë më së shumti nevojë, jo vetëm për të pasurit

Miliarderi amerikan, Bill Gates, ka bërë thirrje që ilaçet që përdoren për trajtimin e sëmundjes Covid-19 dhe ndonjë vaksinë eventuale që mund të zbulohet në të ardhmen të jenë të qasshme për vendet dhe njerëzit që kanë më së shumti nevojë e jo vetëm për ata që ofrojnë më së shumti të holla.

Gates shtoi se shpërndarja e ilaçeve në bazë të forcave të tregut do ta zgjaste edhe më shumë pandeminë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

“Nëse ne i lëmë ilaçet dhe vaksinat të shkojnë te ofertuesi më i madh, në vend se të shkojnë te njerëzit dhe vendet ku ka më së shumti nevojë për to, ne do të kemi një pandemi më të gjatë, më të padrejtë dhe më vdekjeprurëse”, tha Gates.

Reklama e sponzorizuar

“Kemi nevojë që liderët t’i marrin këto vendime të vështira rreth shpërndarjes së bazuar në barazi, jo vetëm në faktorë të udhëhequr nga tregu”, shtoi bamirësi i njohur.

Gjatë një video-konference, Gates tha se përpjekjet që filluan para dy dekadave për ta luftuar HIV-in, kur vendet ishin bërë bashkë për të siguruar ilaçe në pjesën më të madhe të botës, mund të shërbejë si model për t’i bërë të qasshme gjerësisht edhe ilaçet kundër Covid-19.

“Një nga mësimet më të mira në luftën ndaj HIV/Aids është rëndësia e ndërtimit të këtij sistemi të madh dhe të drejtë global për shpërndarje në mënyrë që ilaçet të arrijnë te secili”, tha Gates.