Haradinaj rikthen praktikën e gradimit të jashtëligjshëm të diplomatëve

Kryediplomatja Meliza Haradinaj e ka vazhduar praktikën ku e kishte lënë Behgjet Pacolli, në raport me gradimet e jashtëligjshme në Shërbimin e Jashtëm.

Ajo e ka avancuar Velëza Oruqin pa pasur rekomandim të ri nga komisioni përkatës i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Avancimi është bërë duke u bazuar në një rekomandim të vitit 2018.

Sipas vendimit të Haradinajt, që e ka siguruar KOHA, pas avancimit nga “këshilltare” në gradën diplomatike “ministër këshilltare”, Velëza Oruqi është caktuar për të shërbyer në Ambasadën e Kosovës në Berlin, për një mandat katërvjeçar.

Reklama e sponzorizuar

Në Ministri kanë refuzuar ta arsyetojnë këtë vendimmarrje.

Rikthimi i praktikës së vjetër ka marrë kritika nga vëzhgues të punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike, numëron pasojat e kësaj qasjeje.

Sa ishte ministër i Jashtëm, Glauk Konjufca kishte vendosur t’i kthente në Kosovë 39 diplomatë, krahas një numri ambasadorësh e konsujsh që qëndronin jashtëligjshëm në misione diplomatike.
Në mesin e tyre edhe djalin e ministres Vlora Dumoshi, kunatën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, vajzën e ish-ministrit Bujar Bukoshi, motrën e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, vajzën e kandidatit për deputet nga PDK-ja, Migjen Kelmendi. Në listë ishte edhe ish-deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija, e cila me t’u kthyer në Kosovë është bërë zëvendësministre e Punëve të Jashtme.

Por ministrja Haradinaj me ta marrë pozitën i ka pezulluar vendimet e pararendësit të saj.

Kreshnik Ahmeti, këshilltar gjatë kohës sa Konjufca ka qenë ministër, ka kritikuar veprimet e ministres.

“Pezullimi është i dëmshëm sepse ua zgjat mandatin edhe më tutje, përtej praktikave të mira diplomatike, diplomatëve tanë, disa prej të cilëve janë në misione qe një dekadë pa u kthyer asnjëherë për të shërbyer në MPJD; Pezullimi është i parregullt proceduralisht, sepse thirret në pretendime të pabazuara për shkelje ligjore; Pezullimi është vendim i pazareve, sepse ai nuk ka afat të caktuar. Pra, në MPJD po punohet pa plan. Veprimet varen nga barazimi i llogarive të klientelizmit këtu në Kosovë, duke dërguar njerëz në misione jashtë vendit”, ka thënë ai.

Edhe Butrint Berisha është treguar kritik.

Shërbimi i Jashtëm vuan nga shkallë e lartë politizimi. Të fuqishmit e politikës rehatojnë në të familjarë e të afërm, bashkëpartiakë, bashkëpunëtorë e miq. Disa hulumtime kanë gjetur lidhje të këtilla tek së paku çereku i rreth 270 pjesëtarëve të stafit të Ministrisë dhe atij të misioneve diplomatike nëpër botë.