Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shumë shpejt në Kosovë do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ajo shton se ka probleme në koalicion, derisa, sipas saj, ka humbur besimi edhe në Kuvend, pasi të njëjtit nuk i kanë 61 vota.
Haxhiu thotë se tani nuk mund të kalohet asnjë ligj pa mbështetjen e opozitës.
“Duke marrë parasysh problemet që kanë mes vete dhe brishtësinë e kësaj qeverie, unë jam shumë e bindur se vendi shumë shpejt do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Duket hapur që ka probleme ndërmjet koalicionit, pazaret apo kërkesat e tyre janë shumë të mëdha në raport me kryerjen e favoreve që kanë subjektet politike. Ju po e shihni se si ka akuza të ndërsjella të AAK-së dhe Nismës në drejtim të kryeministrit Hoti. Gjithashtu ka humbur edhe besimi në Kuvendin e Kosovës, nuk i ka 61 vota kjo Qeveri. Tani në Kuvend nuk mund ta kalojë asnjë dokument përpara pa mbështetjen e subjekteve opozitare”, ka thënë ajo.
Ajo thotë se Qeveria aktuale nuk e ka jetën e gjatë, duke shtuar se do t’i vazhdojnë punët që i kanë lënë në gjysmë.
Ndërkaq duke folur për procesin e vettingut, ajo ka thënë se Qeveria aktuale nuk është duke bërë diçka në këtë drejtim.
“Unë kam parë vendimet e Qeverisë në raport me këtë dhe paragrafët tjera janë krejtësisht të njëjta sikur që i kam shkruar unë në atë kohë, vetëm se ku përmendet vettingu është hequr dhe përmendet vetëm një herë në fillim”, ka shtuar ajo.
Haxhiu: Qeverisjes aktuale i përshtatet sistemi i pafuqishëm i drejtësisë
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë në Interaktiv të KTV-së se ajo që ka bërë Qeveria Hoti, për të, si ish-ministre, është e papranueshme dhe e tregon qasjen që qeveria aktuale ka në raport me shtetin e së drejtës.
“Duket që qeverisë aktuale i përshtatet sistemi i pafuqishëm i drejtësisë”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se vettingu ka qenë një nga pikat e para sa i përket shtetit të së drejtës, gjatë kohës sa ka qenë Ministre e Drejtësisë.
“Ju e dini që ndër pikat e para sa i përket shtetit të së drejtës ka qenë vettingu në sistemin e drejtësisë. Por jo vetëm: edhe në polici, e edhe në institucionet tjera, sidomos në institucionet e ndjeshme”.
Ajo ka treguar se lidhur me këtë, në fund të shkurtit ishte krijuar grupi i ekspertëve për dizajnimin e skenareve se si mund të bëhet vettingu në Kosovë.
“Dhe në atë grup punues ka pasur persona me integritet moral dhe profesional, të cilët nuk kanë qenë persona partiakë, apo nuk kanë pasur lidhje me partitë politike. Nuk ka pasur as përfaqësues të kabinetit tim e as të kabinetit të kryeministrit Kurti, as të qeverisë dhe as të Ministrisë së Drejtësisë”, ka treguar ajo.
Haxhiu ka vazhduar se ideja ka qenë që të punojnë të pavarur, “dhe që qytetarët e Kosovës, përmes sistemit te vettingut ta kthejnë besimin tek institucionet e drejtësisë, por edhe përfundimisht të çkapet sistemi i drejtësisë”.
“Tani, qeveria aktuale, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë, por me vendim të qeverisë, konsideroj që ka shkelur mbi një punë të mirë që kishte nisur në shkurt dhe që qëllim kryesor e ka pasur çkapjen e sistemit të drejtësisë. Tani unë kam parë vendimin e qeverisë aktuale. Grupit të ekspertëve, që paraprakisht kanë dhënë dorëheqje pasi nuk pranuan të jenë pjesë e këtij formati, ia kishin shtuar rreth 20 persona, shumica dërmuese e të cilëve përfaqësues të institucioneve të drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se duhet të kihet parasysh që në vendimin e Qeverisë Kurti, në pikën 2, e paraparë kishte qenë që edhe përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të jenë të pranishëm.
“Por ata asnjëherë s’kanë dashur të jenë të pranishëm, pasi s’kanë pranuar që në Kosovë të ketë vetting. Pavarësisht kësaj, grupi i ekspertëve ka nisur, gjegjësisht ka punuar në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Haxhiu: Largimi i Qeverisë aktuale është shpëtim për Kosovën
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se largimi i Qeverisë aktuale është zgjidhja më e mirë për Kosovën.
Ajo ka thënë se shifrat e të infektuarve me COVID-19 janë alarmante dhe largimi i Qeverisë Hoti është shpëtim për popullin.
Haxhiu ka thënë se institucioneve iu duhen njerëz që kanë vullnet e dije për të menaxhuar me situatën.
“Unë po e përcjell situatën, jo pse kam ekspertizë në këtë drejtim, por sepse jemi të shqetësuar. Zgjidhja në këtë situatë është largimi i kësaj qeverie, unë e shoh largimin e kësaj qeverie, shpëtim për vendin dhe qytetarët e Kosovës. Sepse, institucioneve të Kosovës iu duhen njerëz që e kanë vullnetin e dijen, por edhe që janë të gatshëm për ta menaxhuar situatën dhe për ta kaluar këtë sfidë sa më shpejtë dhe sa më mirë. Unë nuk shoh zgjidhje tjetër”, ka thënë ajo.
Haxhiu: Vendimet për lirim të masave ishin të pamenduara mirë
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vendimet e qeverisë për lirimin e masave, të marra më herët, nuk kanë qenë të menduara si duhet.
Në Interaktiv të KTV-së ajo ka thënë se ka pasur vendime “ad hoc”, mungesë planifikimi, teksa ka munguar edhe një protokoll veprimi.
“Në fillim, e përmendja jo rastësisht kur është krijuar Qeveria Hoti: Ka pasur një qasje si të thuhet shpërfillëse, ndonëse në program qeverisës të saj, në pikën e parë, gjegjësisht në fillim, përmendet fokusi në raport me situatën aktuale”, ka thënë ajo në Interaktiv.
Por, si ka shtuar, në fillim është parë “një shpërfillje e këtij virusi”.
Sipas saj, qasja ka qenë se ky virus do të zhdukej brenda pak kohësh.
“Ose, ka qenë tendencë për imunizimin e shoqërisë, pra duke bërë eksperimente me qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut, një qeveri nuk mund t’ia dojë të keqen qytetarëve të Kosovës.
“As nuk mund ta mendoj këtë. Por, veprimet që i ka ndërmarrë kanë qenë jashtëzakonisht të dëmshme, të pamenduara dhe të paplanifikuara. Pra, me veprime ose vendime ad hoc dhe të paplanifikuara – ose me një mungesë të planifikimit, pa një protokoll veprimesh, pa e ditur se si do të na gjejë gushti apo shtatori, çka do të bëhet me çerdhet, shkollat, se çfarë po ndodh me të izoluarit, a mund t’i mbështesë ata shteti në nevojat e tyre për ushqim e të ngjashme, apo me familjarët e të prekurve që nuk e kanë bërë testin, sepse në të kaluarën testet bëheshin paradite, e pasdite dilnin menjëherë rezultatet. E sot, si e keni parë, vetëm personave publikë u jepen ato brenda ditës”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu: Kosova është në kaos, nuk po menaxhohet mirë me pandeminë
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova është në kaos sa i përket gjendjes me pandeminë Covid-19.
Ajo ka thënë se qytetarët në vend nuk janë në dijeni për vendimet e Qeverisë, duke shtuar se gjendja është e jashtëzakonshme.
Haxhiu në Interkativ të KTV-së ka thënë se nuk ka transparencë në vendimet e Qeverisë Hoti.
“Ne sot u ballafaquam me një pamje shumë të rëndë, ku një qytetar kishte improvizuar një shtrat me karrige, dhe në anën tjetër ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu kishte blerë mobilie në kabinetin e tij, për sa kohë që Shëndetësia dhe qytetarët po përballen me kushte jashtëzakonisht të këqija”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka folur edhe për rezolutën e propozuar nga ta, me të cilën thotë se është paraparë ndihma ndaj pacientëve dhe familjarëve të të infektuarve.
“Ne si VV jemi të shqetësuar, ka pasur debat në Kuvend për këtë situatë, kemi propozuar një rezolutë që parashihte brenda saj projektligji për parandalimin e pandemisë, po ashtu që edhe shteti t’i ndihmojë pacientët e infektuar dhe po ashtu rekrutim të stafit shëndetësor por fatkeqësisht kjo rezolutë nuk u votua”, ka thënë ajo.
Haxhiu: Qeveria Hoti nuk ka vullnet për të përmirësuar situatën
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk po shihet ndonjë vullnet nga qeveria aktuale në krye të së cilës është Avdullah Hoti, për menaxhimin më të mirë të gjendjes me COVID-19.
Në Interaktiv të KTV-së ajo është shprehur e shqetësuar rreth numrit gjithnjë e më të lartë të të infektuarve.
“Në fakt prej momentit kur është bërë ndërrimi i qeverisë, gjegjësisht gjatë kohës kur në krye të ekzekutivit ishte LVV dhe ku kishim një kryeministër si Albin Kurti, dhe një ministër të Shëndetësisë si Arben Vitia, Kosova ishte shembull në menaxhim të pandemisë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kudo në vendet e botës asokohe, Kosova përmendej për menaxhim të pandemisë.
“Por në anën tjetër që nga momenti kur është ndryshuar kjo qeveri, ne kemi parë vendime dhe veprime të papranueshme, apo thënë më saktë, eksperimente nga Qeveria Hoti në raport me situatën aktuale”, ka shtuar ajo.
Për Haxhiun, qeveria e ka nisur mandatin se kinse koronavirusi do të zhdukej brenda një kohe të shkurtër, duke i hequr të gjitha masat.
Kjo, sipas saj, “me qëllim të kinse imunizimit të shoqërisë në raport me këtë virus”.
“Dhe ja ku jemi sot: Kosova në vazhdimësi po ka numër të lartë apo shifra alarmante të të infektuarve dhe vdekjeve. Prandaj situata aktuale është shqetësuese, por ne nuk po e shohim vullnetin e Qeverisë Hoti për ta menaxhuar më mirë situatën”, ka thënë Haxhiu.









