Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të shtunën se sfidë mbetet menaxhimi i pandemisë.
Hoti, gjatë debatit të organizuar nga Instituti Riinvest ku edhe u prezantua raporti “Bashkëjetesa me COVID-19: Tri shtylla të rimëkëmbjes”, ka paralajmëruar përgatitjet për një numër më të madh të testimeve.
Ai ka sqaruar se testimet do të mundësohen edhe në klinikat private dhe se kanë filluar procedurat për blerjen e shtatë aparaturave për testim.
“Menaxhimi mbetet sfidë, po fillon një valë e dytë e pandemisë, vlerësimet thonë se masat e kanë zvogëluar përhapjen e virusit. Plani është të bëjmë gati numër të madh të testeve, krijimin e një strukture të të dhënave të të prekurve, kapacitet nëpër qendra”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka folur rreth riorganizimit të brendshëm në QKUK.
“Kemi riorganizuar komplet klinikat në QKUK, kemi krijuar kapacitet nëpër spitale regjionale, edhe spitalete privat do të vënë në dispozicion kapacitet. Kemi filluar procedurat për blerjen e 7 shtatë aparaturave për testim, edhe spitalet private do të kryejnë testimet tash e tutje”, ka thënë ai.
Në rënien e numrit të të infektuarve ditëve të fundit, Hoti tha se ka ndikuar shtrëngimi i masave pas vendimeve të fundit të Qeverisë. Ai ka shtuar se në dy javët e ardhshme numri i të infektuarave mund të përgjysmohet.
“Kemi filluar përgatitjet për një periudhë afatgjate, do të sigurojmë edhe 100 mijë teste, 500 mijë vaksina të gripit sezonal për këtë vit do të sigurohen. Për shkak të masave, numri i të infektuarve ka filluar të bjerë, për një apo dy javë besoj që do të përgjysmohet numri i të infektuarve”, ka thënë ai.
Sa i përket ndikimit të pandemisë në ekonomi, Hoti ka thënë se ai do të ndihet edhe vitin tjetër.
Kreu i Qeverisë ka thënë se bazuar në parashikimet, rënia ekonomike mund të shkojë deri në 3 për qind/ EO.