Kryeministri Avdullah Hoti i ka nisur negociatat me Serbinë, pa përmbushjen e një indikatori që Qeveria e tij e kishte identifikuar si përcaktues për sukses në këtë proces. Ai lidhet me përfshirjen e gjithë spektrit politik në proces.
Këtë indikator, Qeveria e ka të shprehur në programin e saj, shkruan KOHA.
“Qeveria konsideron se dialogu për arritjen e marrëveshjes me Serbinë mund të jetë i suksesshëm dhe marrëveshja e zbatueshme vetëm me angazhim e të gjitha forcave politike parlamentare, si dhe me përfshirjen e institucioneve akademike dhe shkencore dhe të shoqërisë civile e medieve, si në sigurimin e ekspertizës në këtë proces, ashtu edhe në mbikëqyrjen dhe sigurimin e transparencës karshi publikut dhe qytetarëve”, thuhet në Programin e Qeverisë.
Mirëpo, forcat kryesore parlamentare kanë refuzuar të përfshihen në proces. Lëvizja Vetëvendosje, si parti me më së shumti deputetë, si dhe Partia Demokratike, që është e treta për kah numri i ligjvënësve, kanë refuzuar që t’i dërgojnë liderët e tyre në takimin që kryeministri Hoti e kishte me kryetarë të partive që janë pjesë e Kuvendit, në nismën e tij për konsensus.
Kësisoj, përpara së enjtes, kreu i Qeverisë nuk e ka siguruar mbështetjen as të shumicës shqiptare dhe as të shumicës së 120 deputetëve sa i ka Kuvendi.