Avokati nuk arrin t’i sigurojë adresat e dëshmitarëve në gjykimin për mashtrimin e rreth 176 blerësve të banesave në Prishtinë

Fotografi ilustruese

Prishtinë – Avokati Naim Rudari nuk ka arritur t’i sigurojë adresat e dëshmitarëve të propozuar për tu dëgjuar në gjykimin ndaj Estrida Bunjakut, Vigan Bunjakut, Burim Vokrrit, Xhemail Arifit, Faton dhe Valon Orllanit, të cilët po akuzohen për “krim të organizuar”, “mashtrim”, “shpëlarje të parave”, “shkaktim të falimentimit” dhe “shmangie nga tatimi’’.

Në seancën e së premtes, në objektin e Ministrisë së Drejtësisë, nuk janë dëgjuar asnjë nga dëshmitarët e propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Arifi, avokati Naim Rudari, pasi ky i fundit nuk kishte arritur t’i sigurojë adresat e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ne kemi propozuar të dëgjohen disa dëshmitarë. Unë disa dëshmitarë nuk i njoh fare se disa prej tyre kanë dhënë deklaratë, adresat e tyre janë në shkresa të lëndës veç në qoftë se kanë ndryshuar”, deklaroi ai.

Reklama e sponzorizuar

Avokati Rudari tha se mbetet pranë propozimit që të dëgjohen dëshmitarët Isa Ukaj, Lutfi Gashi, Sabri Zeqiri dhe Dashnor Hysi, ndërkaq për dëshmitarët tjerë ai ka hequr dorë nga dëgjimi i tyre.

Lidhur me këto deklarata të avokatit, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rogova tha se për seancën e radhës do të bëjnë përpjekje për t’i ftuar dëshmitarët e lartpërmendur përmes policisë.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Orllani, avokati Ramiz Krasniqi ka thënë se tërhiqet nga propozimi i dëgjimit të dëshmitarit Nasup Krasniqi të propozuar në seancën e kaluar, pasi tha se ai nuk mund të dëgjohet për shkaqe shëndetësore.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan të mbahen më 13 korrik, 17 shtator dhe 21 shtator, duke filluar nga ora 10:00.

Fillimisht, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por që më pas ai është deleguar në kompetencë të Gjykatës në Pejë, për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve, si dhe faktit se në mesin e tyre ka edhe gjykatës, andaj dhe për t’i ikur ndonjë konflikti eventual, rasti është transferuar për gjykim në Pejë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2016, të pandehurit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, dhe Burim Vokrri ngarkohen më veprat penale “krim i organizuar” dhe “mashtrim”, pasi që sipas aktakuzës, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, të tre duke vepruar në formë të grupit kriminal, kanë përfituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.

Një gjë e tillë, sipas aktakuzës, ishte arritur përmes paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet, gjë që i ka shtyrë personat e tjerë të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, dhe ka sjell në lajthim rreth 176 qytetarë duke ju paraqitur oferta të volitshme për shitjen e banesave, në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se fillimisht Estrida Bunjaku, e ka regjistruar kompaninë e biznesit NSHN “ERA”, ndërkohë më 14 tetor 2009, ka regjistruar edhe kompaninë “Venis-O-GR”, SHPK, sipas të cilës kjo kompani ka pasur për veprimtari primare ndërtimin e lartë dhe të ulët, përmes të cilës, sipas prokurorisë ka filluar aktiviteti i grupit të organizuar kriminal, i udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Estrida Bunjaku.

Prokuroria është duke pretenduar se këta tre të pandehur fillimisht, të dëmtuarve iu kanë ofruar nënshkrimin e para kontratave me të gjitha të drejtat dhe obligimet, me premtimin e ndërtimit dhe dorëzimit të banesave, në afatin e paraparë si në para kontratë 12-18 muaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, paraprakisht të dëmtuarit kanë qenë të detyruar që mjetet financiare në shumë më të vogël prej 5000 euro e deri në shumën më të madhe prej 200.000 euro, t’i paguajnë në xhirollogarinë e kompanisë “Venis O – Group”, dhe në xhirollogarinë personale të të pandehurës Estrida Bunjaku, e që përmes zyrtarëve të vet këto shuma i ka tërhequr brenda ditës.

Ndryshe, Estrida Bunjaku, Xhemail Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpëlarja e parave”, ashtu që mjetet financiare në shumën e lartcekur, duke ditur se burojnë nga aktiviteti kriminal, duke tentuar t’i konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë.

E pandehura Estrida Bunjkau, në pikën e tretë të aktakuzës ngarkohet edhe për kryerjen e veprës penale “shkaktim i falimentimit”, ashtu që si person përgjegjës në organizatën e biznesit, duke ditur paaftësinë paguese të organizatës së biznesit, me shpenzim jo racional të mjeteve apo transferimin e tyre me çmim tejet të ulët, ngarkim të tepruar me borxh, apo marrjen përsipër të detyrimeve jo proporcionale, ka shkaktuar falimentimin e subjektit të saj biznesor “Venis O – Group” sh.p.k, biznes ky që, sipas aktakuzës, është themeluar me qëllim të përfitimeve financiare të kundërligjshme.

Ndërsa, po e njëjta, në pikën e katërt të aktakuzës, ngarkohet me kryerjen e veprës penale “shmangie tatimi”, në vlerë prej 80.610,50 euro, ashtu që me qëllim të fshehjes së pjesshme të obligimeve buxhetore, në emër të pagesës së tatimit të të gjitha llojeve që kërkohen me ligj ka dhënë të dhëna të pa vërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të saj dhe fakteve të tjera relevante rreth gjendjes financiare. /BetimipërDrejtësi/