Inspektorati në Shtime shqipton gjoba prej 1500 euro për bizneset që punuan pas orës 21:00

Inspektorati i Komunës së Shtimes ka nis një aksion për t’i inspektuar bizneset e gastronomisë se a po e respektojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e bizneseve pas orës 21:00.

Të gjitha ato biznese që nuk e kanë përfillur vendimin, janë ndëshkuar me nga një mijë e 500 euro nga inspektorati. Shef i inspektoratit në këtë komunë Sherif Sherifi, ka thënë për KOHËN se për çdo natë pas orës 21:00 do t’i kontrollojnë bizneset, ndërkaq do të shqiptojnë edhe gjoba ndaj atyre që e shpërfillin vendimin e Qeverisë.

“Inspektorati sanitar në Shtime rreth orës 21 e 30 minuta u kanë tërhequr vërejtjen që t’i mbyllin lokalet, mirëpo disa prej tyre nuk e kanë përfillur urdhrin e dhënë, ndërkohë kemi shqiptuar prej një mijë e 500 eurosh”, ka thënë Sherifi. Sipas tij, shqiptimi i disa gjobave është bërë në rrugën “Tahir Sinani” dhe në rrugën “Ahmet Shtimja” në Shtime. Sipas Sherifit shqiptimi i gjobave është bërë në bazë të ligjit për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse nr.02/L-109 neni 2 pika 11, neni 41, 42 dispozita ndeshkuse nenu 53 dhe 54 te ketij ligji. “Këto biznese kanë bërë edhe shkelje të tjera ligjore derisa punëtorët e tyre nuk kanë pasur kontrollet mjekësore dhe as librezat sanitare. Po ashtu nuk kanë respektuar as ligjin për antiduhan në ambiente të mbyllura”, ka thënë Sherifi.

Reklama e sponzorizuar