Janjiq e quan kaos mosunitetin SHBA-BE për dialogun

Dushan Janjiq, drejtori i Forumit Beogradas për Raporte Etnike, në Interaktiv të KTV-së e ka cilësuar si kaos mosunitetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se në samitin virtual të Parisit mes Kosovës e Serbisë ka parë shumë diplomaci e taktizime. Sipas tij, “janë vetëm dy pika ku ka dallime mes Prishtinës e Beogradit, njohja e ndërsjellë dhe integriteti territorial”.

“Ky është ai problem në bazë i krijuar gjatë viteve 90-a se kanë përfunduar atë moment kur mes Uashingtonit e Brukselit ekzistoi një zë, të cilin tashmë s’e kemi. Nuk e kemi në Bruksel as në Uashington. Atë që thotë Grenelli e Trumpi është një gjë atë që e thotë Kongresi e Departamenti i Shtetit është tjetër çka. Në anën tjetër as në Evropë nuk ka ide për zgjidhje të qëndrueshme as për pyetjen se kur për shembull duhet Kosova të marrë liberalizimin e vizave ose kur duhet Kosova e Serbia të anëtarësohen në BE”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Insistimin e të dërguarit të SHBA-së për Kosovën, Richard Grenell, që Kosovës t’i jepet liberalizimi, Janjiq e ka vlerësuar si “kaos tjetër”.

“Grenelli në bazë kapet mes temave të folura tashmë që u arritën e nuk u respektuan andaj nuk ka mekanizëm që të shpërblejë. S’mund të keni vetëm shkopin por edhe karotën e tani kjo i takon BE-së. Në anën tjetër BE-ja është aq burokratike që të mos ballafaqohet me dobësitë e saj që çuan zhurmë rreth Grenellit. Kjo është mirë por ata e rrëzuan një qeveri në Prishtinë, kështu mund të bëjnë edhe në Serbi. Por kjo nuk është rruga e me këtë konferencë BE-ja tregoi se ka një qëllim e dëshirë por nuk është gati që të sigurojë që, në të gjitha problemet që i kanë Prishtina e Beogradi, të nis diçka”, ka theksuar Janjiq.

Teksa ka refuzuar të flasë për mungesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në dialog, pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Janjiq ka thënë se “ka asimetri nëse presidenti bisedon me kryeministrin e kryeministri me presidentin”.

Janjiq ka kritikuar qasjen që në dialog të jenë vetëm dy figura. Ai ka thënë se dialogu po funksionon sikur të ishte në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

“Ai dialog (i brendshëm në Serbi) udhëhiqej e filloi nga presidenti dhe e la kur ju bë bajat. Nga ai dialog kemi mundur të mësojmë shumë por ishte e pritshme që pas tij të shohim se si Qeveria do të vleftësojë apo mos vleftësojë disa pika. Kjo nuk ndodhi, u mohua nga të gjithë ata që ende besojnë në Hashim Thaçin e Aleksandar Vuçiqin. Respektivisht presidentin e Serbisë e të Kosovës, dhe nëse ndonjëri nuk është, si tashmë Thaçi sepse u deligjitimizua me një akt jolegjitim, atëherë sipas Kushtetutës ka kush e zëvendëson, kryetari i Kuvendit së paku tek ne është ashtu. Andaj BE-ja duhet të kthehet tek dy parimet të respektojë institucionet e shteteve dhe opinionin publik. Ata pranuan dhe ashtu po bëjnë si në kohë të Millosheviqit të fshin diçka e duhet të paraqitet Boltoni e të na tregojë atë çfarë po ndodhë në pjesën e brendshme. Jo vetëm që këtu është pjesëmarrës Thaçi, por edhe Edi Rama edhe një gamë e gjerë diplomatësh, që është folur për shkëmbim territoresh. Kjo megjithatë nuk ofron shumë besim dhe ishte përformancë për publikun ata që kjo i intereson, por këtu s’ka atmosferë ku mund të prisni që qytetarët e Kosovës e Serbisë krahas papunësisë e pandemisë, pranojnë që ky është proces i drejtë. Burokratët e BE-së duhet të bëjnë diçka e merren me këtë. Por ata nuk po e kuptojnë që Ballkani është në Evropë e sa i përket Grenellit e Amerikës, e dini çfarë thotë populli ‘në shpinë të huaj as 300 rrahje s’mjaftojnë’”, ka shtuar ai.

Idenë për marrëveshje ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, sipas propozimit të Grenellit, Janjiq e ka vlerësuar si të dobishme dhe lehtësim të komunikimit, por ka përsëritur se nuk zgjidh problemet politike.

Sipas tij Rusia tashmë është e përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi.