KMDLNj u kërkon deputetëve ta votojnë buxhetin e rishikuar

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i lënë dallimet politike dhe partiake, hatërmbetjet, hakmarrjen dhe interesat personale dhe bëhuni zëri i qytetarëve dhe për shkak të situatës së rënd me pandeminë, ta votojnë buxhetin e rishikuar.

KMDLNj në një reagim thotë se është përgjegjësi tepër e madhe nëse në këtë situatë nuk e votoni buxhetin e rishikuar, me shumë të meta por që megjithatë është një infuzion për mbijetesë për një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës sikur edhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje të ekonomisë

Reagim i KMDLNj – së:

Reklama e sponzorizuar

VOTOJENI BUXHETIN E RISHIKUAR DHE BASHKOHUNI NË LUFTË KUNDËR PANDEMISË!

Qytetarët e Kosovës janë në gjendje të rëndë për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Me përshkallëzimin e rasteve që janë prekur nga virusi, si dhe me rritjen e numrit që përfundojnë me fatalitet, Kosova qëndron më së keqi në rajon. Madje, krahasuar me numrin e banorëve është në majat e vendeve më të prekura në botë.. Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 , për shkak të masave shtrënguese të vendosura nga Qeveria e Kosovës e ka thelluar gjendjen edhe ashtu të rënduar ekonomike, duke i vënë para falimentimit shumicen e bizneseve. Qeveria e Kosovës , për shkak se nuk ishte votuar me kohë buxheti i rishikuar nuk i kompensoi me nga 170 euro kategoritë që i plotësonin kushtet sikur që nuk pati mundësi të ndërmerr asnjë veprim për zbatim të Pakosë për rimëkëmbje të ekonomisë. Deputetët e Kosovës, një numër i tyre ekskluzivisht të motivuar dhe për shkaqe politike, deri më tani nuk po pajtohen ta votojnë buxhetin e rishikuar në ndërkohë që kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Në kohën kur punëtorët shëndetësorë po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetën e të prekurve nga virusi, në kushte që i tejkalojnë kapacitetet fizike dhe të vendosjes, një pjesë e deputetëve që pas betimit të dhënë nuk do të duhej të ishin vetëm deputetë të subjektit që e përfaqësojnë por në funksion dhe shërbim të të gjithë qytetarëve, po hezitojnë ta votojnë buxhetin e rishikuar duke ua vështirësur edhe më shumë gjendjen shumicës së qytetarëve të Kosovës , si në aspektin shëndetësorë , ashtu edhe material. Është e vërtetë se buxheti i rishikuar është larg të së dëshiruares por situata e imponon një buxhet të tillë, një buxhet jo për projekte dhe investime të mëdha por një buxhet thjesht për të mbijetuar, për të mos e varrosur ekonominë dhe bizneset dhe për të bërë përpjekje për të ruajtuar vende të punës në një situatë kur papunësia është edhe ashtu e madhe. Është përgjegjësi tepër e madhe nëse në këtë situatë nuk e votoni buxhetin e rishikuar, me shumë të meta por që megjithatë është një infuzion për mbijetesë për një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës sikur edhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje të ekonomisë , së paku të lejojë falimentimin e saj.

Pandemia është përshakallëzuar në Kosovë dhe kërkon mobilizim të përgjithshëm e të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve relevante. Është papërgjegjësi, e pamoralshme dhe e dënueshme që kjo situatë jashtëzakonisht e rëndë të keqpërdoret për qëllime politike duke kritikuar çdo gjë nga pozita e spektatorit, pa dhënë asnjë kontribut në luftë kundër pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Për momentin, deri në një situatë tjetër, bisedimet në Bruksel janë të panevojshme dhe se i tërë potenciali duhet të vëhet në shërbim të qytetarëve , prandaj votojeni, pa rezerva , buxhetin e rishikuar sikur që bashkohuni në luftë kundër pandemisë. Lërini , për shkak të situatës , dallimet politike dhe partiake , hatërmbetjet, hakmarrjen dhe intereset personale dhe bëhuni zëri i qytetarëve, përfaqësues të të cilëve edhe duhet të jeni, pa bërë asnjë dallim . Sepse vota e qytetarit do t’ju duhet edhe në të ardhmen!