Kompanitë e ujit në Kosovë vazhdojnë të mos i paguajnë tatim shtetit për ujin e shfrytëzuar.
Sipas Auditorit të Përgjithshëm, asnjëra prej 37 kompanive të ujit, nuk kishte paguar asnjë cent tatim gjatë vitit 2019. Në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) gjatë vitit 2019 nuk ishte dorëzuar asnjë raport lidhur me sasinë e ujit të shfrytëzuar nga 37 kompani (4 prej të cilëve janë kompani publike) të cilat kanë leje ujore.
Sipas nenit 10 të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.02/2016 për Strukturën e Pagesave të Ujit kompanitë obligohen që çdo tre muaj të informojnë me shkrim MMPH-në, për sasinë e ujit të shfrytëzuar. Por kjo nuk kishte ndodhur. “Rrjedhimisht, MMPH ka dështuar të bëjë faturimin për sasinë e ujit të shfrytëzuar për këto kompani edhe pse ato posedojnë leje ujore dhe e shfrytëzojnë ujin.
Kjo kishte ndodhë për shkak se ministria nuk kishte marrë masa për mungesën e raportimit për sasinë e ujit të shfrytëzuar nga këto kompani”, vlerëson Auditori. Sipas Auditorit, mos faturimi i detyruesve për shkak të mungesës së raporteve për sasinë e ujit të shfrytëzuar, ndikon në dëmtim të buxhetit të ministrisë duke shkaktuar nënvlerësim të të hyrave vetjake dhe të llogarive të arkëtueshme. /Buletini Ekonomik/