“Shumë biznese në Kosovë rrezikohen nga ikja e fuqisë punëtore”

Liridon Alidemaj

Eksperti i Burimeve Njerëzore, Liridon Alidemaj, në një intervistë për Buletinin Ekonomik flet për pasojat afatgjate për ekonominë e vendit që do të shkaktohet nga ikja masive e fuqisë punëtore nga Kosova.

Alidemaj drejton kompaninë Top Consulting, e cila është e specializuar në trajnime për burime njerëzore dhe rekrutim të stafit.

Nga përvoja e tij me biznese, ai thotë se bizneset ende nuk janë duke e kuptuar rëndësinë e departamentit të burimeve njerëzore në zhvillimin e biznesit.

Reklama e sponzorizuar

“Fatkeqësisht pasojat veçse kemi filluar me i pas pasi që shumë biznese janë të kërkim të profileve të ndryshme për punë dhe nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë dhe nëse vazhdon kjo rritje e këtij trendi atëherë disa prej tyre mund të rrezikojnë edhe falimentimin sepse nuk do t’ia dalin dot pa kapitalin njerëzor”, vlerëson Alidemaj.

Më poshtë intervista e plotë:

Buletini Ekonomik: Me 20 maj 2022 shënohet në mbarë botën Dita Ndërkombëtare e Burimeve Njerëzore. Në Kosovë nuk është se pati ndonjë aktivitet për ta shënuar këtë ditë. Si njohes i kësaj fushe, a mund të na thoni se ku qëndrojnë bizneset kosovare sa i përket burimeve njerëzore?

Liridon Alidemaj: Bizneset kosovare në përgjithësi në aspektin e Burimeve Njerëzore mendoj që kanë nevojë të përmirësohen dukshëm sepse dihet që vetëm një numër i vogël i tyre mund të them se kanë Burime Njerëzore të mirëfillta, ndërsa një numër i madh i tyre pothuajse nuk kanë fare një Departament të tillë. Në krahasim me vendet e rajonit mund të them se qëndrojmë jo aq mirë.

Buletini Ekonomik: Cila është rëndësia e departamentit të burimeve njërëzore dhe a mendon se akoma nuk po kuptohet rëndësia e tij nga bizneset në Kosovë?

Liridon Alidemaj: Departamenti i Burimeve Njerëzore është shumë i rëndësishëm sepse është një urë lidhës ndërmjet Punëdhënësit dhe të Punësuarit. Është sektor kyç në hierarkinë e një biznesi pasi që asnjë sukes i biznesit nuk mund të arrihet pa një menaxhim të mirë të resurseve humane, andaj Burimet Njerëzore kanë rol jetik në suksesin e kompanive sepse japin kontribut në rekrutimin e stafit, motivimin, trajnimin e. tyre etj. Bizneset ende nuk janë duke e kuptuar rëndësinë e tyre dhe për këtë arsye krijohen pastaj situata jo të mira me të cilat rrezikohet seriozisht veprimataria e tyre sepse pa resurse njerëzore nuk mund të funksionojë asnjë biznes.

Buletini Ekonomik: Më konkretisht, pse nuk e vlerësohet tek ne roli dhe rëndësia e burimeve njerëzore?

Liridon Alidemaj: Fatkeqësisht shumë biznese ende nuk kanë arritur të kuptojnë dhe të binden se sa të rëndësishme janë Burimet Njerëzore për kompaninë e tyre. Ka të bëjë edhe me mungesën e vetëdijësimit dhe me një kulturë të të bërit biznes ndoshta ende me sistemin tradicional duke mos iu përshtatur menaxhimit të rezistencës ndaj ndryshimeve. Nga praktika mendoj se arsyeja pse nuk vlerësohet sa duhet është se konsiderohet si një pozitë që merret vetëm me çështje administrative, kryen kontrata, vendime të pushimeve, pra trajtohet si një pozitë administrative pa ndonjë efekt të madh. Mirëpo ekziston mungesa e sensibilizimit dhe informacioneve më të detajuara lidhur me dobitë e shumëta që i sjell ky departament.

Buletini Ekonomik: Si njohës i mirë I burimeve njerëzore, si e komentoni çështjen e bërë goxha problematike të ikjes kaq masive të kosovarëve (fuqisë punëtore) në vendet e Perëndimit?

Liridon Alidemaj: Çështja e ikjes masive të fuqisë punëtore kosovare drejt vendeve perendimire mendoj se po ndodh për disa arsye: 1. Papunësia & Varfëria; 2. Mungesa e sigurisë financiare; 3. Vështirësitë për tu qasur në tregun e punës; 4. Nepotizmi i lartë në punësim; 5. Padrejtësitë, anarkia, mungesa e arsimimit cilësor, shëndetësia etj 6. Pamundësia për ta dëshmuar vetën në profesionet e tyre; 7. Pagat jo konkurruese me vendet e tjera; 8. Zhgënjimi nga Institucionet dhe humbja e shpresës;

Buletini Ekonomik: Cilat, sipas jush, do të jenë pasojat e tashme dhe të mëpastajme të braktisjes kaq të numërt dhe kaq të larmishme të profileve të burimeve njerëzore të përgatitura të Kosovës?

Liridon Alidemaj: Fatkeqësisht pasojat veçse kemi filluar me i pas pasi që shumë biznese janë të kërkim të profileve të ndryshme për punë dhe nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë dhe nëse vazhdon kjo rritje e këtij trendi atëherë disa prej tyre mund të rrezikojnë edhe falimentimin sepse nuk do t’ia dalin dot pa kapitalin njerëzor. Në aspekt afatgjatë situata mund të rëndohet dhe do të ndikojnë negativisht saqë bizneset do të detyrohen të sigurojnë fuqi punëtore nga vendet/shtetet ndoshta edhe më të varfëra dhe më pak të zhvilluara se sa që është Kosova.

Buletini Ekonomik: Si do ta komentoni raportin aktual burimet njerëzore-tregu i punës në Kosovë, përkatësisht ku qëndrojnë shkaqet dhe arsyet reale pse ky raport është ndër më ta pafavorshmit në rajon dhe përtej?

Liridon Alidemaj: Raporti ka shumë hapësirë për tu përmirësuar për arsye se ka një diskrepancë ndërmjet kërkesës dhe ofertës së tregut të punës. Tregu i punës në fakt ka shumë kërkesa për profile të ndryshme, mirëpo po hasin në mungesë të profileve/aplikantëve për vendet e lira të punës. Arsye mund të ketë të shumta por ndër ma kryesoret mund të jenë: mungesa e kontratave të punës në sektorin privat, pagat jo të kënaqshme, mos pagesa e orëve shtesë, mos shfrytëzimi I pushimit vjetor sipas Ligjit të Punës, mungesa e sigurisë, mungesa e transparencës, qasja jo e duhur nga punëdhënësi, mungesa e vlerësimit, mungesa e sigurimt shëndetësor etj.

Buletini Ekonomik: Në nivel institucional, a shihni ndonjë vizion më konkret për t’i ekuilibruar më shumë raportet burimet njerëzore-tregu i punës?

Liridon Alidemaj: Fatkeqësisht nuk jam duke parë ende ndonjë vizion apo plan strategjik sepse ka mungesë të vullnetit institucional për arritur një zgjidhje më të favorshme rreth kësaj problematike. Ajo qka duhet të ndërmerret është të bëhet një nivelizim i pagave edhe në sektorin privat sepse ka shumë mospërputhje ndërmjet pozitës së punës, kualifikimit dhe pagës, thënë shkurt, më shumë paguhet një i punësuar me kualifikim mesatar sesa ai me kualifikim të lartë. Hap tjetër që duhet të ndërmerret është të krijohen politika stimuluese nga niveli Qendror në mënyrë që të kemi një ekuilibrim ndërmjet kërkesës për punë dhe ofertës. /Buletini Ekonomik/