Komuna e Lutfi Hazirit iu dha kontrata milionëshe operatorëve të papërgatitur

Komuna e Gjilanit, në vitin 2019, i kishte shpërblyer me kontrata milionëshe katër kompani që sipas Auditorit të Përgjithshëm nuk i plotësonin kushtet e tenderit. Kjo kishte ndodhur së paku me katër kompani, të cilat u angazhuan për shtrimin e rrugëve.

Tek procedura e prokurimit “Vërbicë e Zhegovcit – Sllovi” në vlerë 1,346,909 euro kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, si dhe operatori ekonomik duhet të posedojë dy grejder minimum 12 ton.

“Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit”, vlerëson Auditori. Tek procedura e prokurimit “Ndërtimi i rrugës së Kumanovës faza e II” në vlerë 2,388,853 euro, kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, të kenë çekiç pneumatik, dhe një inxhinier apo bachelor të hidroteknikës me përvojë profesionale minimum 2 vite.

Reklama e sponzorizuar

As në këtë tender, sipas Auditorit, “operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit, dhe as dëshmi për kualifikimin dhe përvojën profesionale të inxhinierit të hidroteknikës”. Ndërsa, tek tenderi “Asfaltimi i rrugëve në Livoçin e Ulët” në vlerë 466,026 euro, kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, të posedojë grejder minimum 12 ton, dhe të kenë çekiç pneumatik.

“Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit”. Tek procedura ”Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese” në vlerë 377,477 euro, kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3, dhe që kontratat e nënshkruara ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit të jenë kopje e noterizuar dhe noterizimi të behët në prezencë të dy palëve tek noteri.

Sipas Auditorit, operatori ekonomik fitues nuk kishte dëshmuar së posedon mekanizmin sipas dosjes së tenderit, dhe për shtatë punonjësit kontratën e punës me kompani e kishte dërguar tek noteri dikush tjetër e jo vet punonjësit, dhe të njëjtat nuk ishin noterizuar në prezencë të dyja palëve tek noteri.

“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve dhe njohurive të kërkesave specifike të dosjes së tenderit nga komisionet e vlerësimit. Nuk na janë dhënë arsye për këto të gjetura nga ana e zyrtarëve komunal”, vlerëson Auditori. /Buletini Ekonomik/