Minierat e Kosovës (hiq në ndonjë rast Trepçën), dikur me vite të tëra ndër burimet kryesore të zhvillimit dhe të mirëqenies së Kosovës, u lanë në harresë të plotë, sikur të mos ekzistonin kurrë, dhe u margjinalizuan totalisht deri në nëpërkëmbje. Sektori minerar i vendit, që nga shumëkush vlerësohet si potencial me mundësi të mëdha zhvillimore dhe me ndikim në prosperitetin ekonomik të vendit, së paku deri më tash nuk ka qenë asnjëherë seriozisht i përfshirë në agjendat dhe projeksionet e njëmendta zhvillimore, qoftë në ato afatshukrtëra, afatmesme apo afatgjata, as në Qeverinë Kurti 2, në të cilën komuniteti xehetar i Republikës pati shumë shpresa.
Mehmet GJATA
Që nga palufta, që i bie saktësisht tash e më shumë se 23 vjet, praktikisht asnjë institucion i Kosovës, asnjëra nga Qeveritë e deritashme, por as kjo Kurti 2, nuk janë preokupuar dhe as që kanë bërë ndonjë përpjekje për të sanuar, ringritur dhe rizhvilluar sektorin e minierave të vendit. Shkurt, minierat e Kosovës (hiq në ndonjë rast Trepçën), dikur me vite të tëra ndër burimet kryesore të zhvillimit dhe të mirëqenies së Kosovës, u lanë në harresë të plotë, sikur të mos ekzistonin kurrë, dhe u margjinalizuan totalisht deri në nëpërkëmbje.
Me minierat e Kosovës, shumica e të cilave të vërshuara tërësisht nga ujërat, që gjatë luftës dhe në kohën kur ato, nën masat e dhunshme të pushtuesit, udhëhiqeshin nga kuadro, kryesisht serbe, nuk u mor fare as Qeveria e Përkohshme, e instaluar menjëherë pas lufte në Kosovë, as Qeveria e përbërë nga subjektet politike, LDK-ja e AAK-ja, as nga ajo e përbërë nga kuadro të PDK-së, por as qeveria e përbërë nga kjo e fundit dhe LDK-ja bashkarisht.
Mirëpo, sektori minerar i vendit, që nga shumëkush vlerësohet si potencial me mundësi të mëdha zhvillimore dhe me ndikim në prosperitetin ekonomik të vendit, së paku deri më tash nuk ka qenë asnjëherë seriozisht i përfshirë në agjendat dhe projeksionet e njëmendta zhvillimore, qoftë në ato afatshukrtëra, afatmesme apo afatgjata, as në Qeverinë Kurti 2, në të cilën komuniteti xehetar i Republikës pati shumë shpresa.
Ç’është e vërteta, në ndonjë rast solemniteti, dhe sidomos në kohë fushatash zgjedhore, autoritetet kosovare, e kujtuan, më shumë me fjalime patetike e stereotipe me ca fjalë këtë sektor, (në veçanti Trepçën, duke e identifikuar sektorin minerar të Republikës me minierën e Stan tërgut, në të shumtën), tashmë të katandisur si është më së keqi, duke premtuar madje edhe “lugë të florinjta”, por me t’u përmbyllur solemniteti, apo tubimi elektoral u harruan minierat e Kosovës.
Kryeministri Kurti dhe ministrat e Qeverisë së tij u kujtuan, kësaj radhe në ceremoninë me rastin e hapjes së manifestimit “Java e Minatorëve”, kushtuar grevës së lavdishme të minatorëve të Trepçës, të vitit 1989, të mbajtur këto ditë në StanTërg, në objektin e minierës së “Trepçës”. “Derisa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe intensitetin e nivelit të punës sot, sfida e të gjithëve për Trepçën dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, Trepça të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore. Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, tha Kurti me këtë rast.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh të jetë krenare me arritjet e Trepçës gjatë dy viteve të fundit. “Ne gëzohemi dhe jemi krenarë me arritjet e Trepçës gjatë këtyre dy viteve të fundit dhe zotohemi se do të vazhdojmë të përkrahim Trepçën në mënyrë që teknologjia e saj të modernizohet, performanca e saj të rritet dhe po ashtu mirëqenia e Mitrovicës dhe mbarë Kosovës të rritet”, theksoi Rizvanolli.
Por, as Kurti, as Rizvanolli nuk e thanë asnjë fjalë të vetme se si dhe kur Trepça do të kthehet në “një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore”.
Nuk u shprehën zyrtarët qeveritarë as se si “toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, në rrethanat kur, praktikisht asgjë deri më sot nuk është bërë seriozisht për tejkalimin e problemeve të shumta, që i krijoi qasja dhe politika e gabueshme kundrejt minierave në përgjithësi, por edhe Trepçës në veçanti. Nuk u tha se deri kur Trepça do ta shes produktin e saj si lëndë të parë, si koncentrat pra, në vend të xeheve të ndara (të metaleve të pastërta), në mungesë të një shkritorjeje funksionale, që të gjithë njohësit e rrethanave, që moti e shohin si të domosdoshme për valorizimin e prodhimit të kësaj miniere të famshme.
Të përkujtojmë se me punën aktuale që zhvillohet në Stan Tërg, sigurohen disi të ardhura vetëm për paga për punëtorët, ndërsa në ditët e arta të Trepçës, veç plumbit e zinkut, argjendi matej me tonelata, kurse ari me kilogramë. Kjo Qeveri, veç shprehjes së aspiratës për rimëkëmbje të Trepçës, duhet të jetë shumë më këmbëngulëse dhe më e vendosur për të realizuar synimet e rivitalizimit të Trepçës, të thuhet një herë e mirë se a është në gjendje të rindërtojë dhe të funksionalizojë një shkritore, që do të ishte investim shumëmilionësh dhe të ristrukturojë tërësisht këtë kompleks minerar, duke e përshtatur me zhvillimet dhe rrjedhat aktuale të xehetarisë në botë.
Nuk është ndonjë ndërmarrje shumë e veçantë e Qeverisë aktuale, të miratuar në mbledhjën e sotme të Qeverisë, për ta lejuar Trepçën të marrë deri në 20 milionë euro hua nga Ministria e Financave. Sepse, nëse nuk angazhohet i gjithë potenciali njerëzor qeveritarë dhe institucional i vendit për të rifunksionalizuar siç duhet Trepçën, më kotë ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se “kjo huamarrje është në kuadër të veprimeve që kemi bërë si qeveri për të kthyer gjendjen e mirë në ndërmarrjet publike probabilitetit dhe mirë menaxhimit. Pritet për tu investuar në maqina për miniera dhe floatcione që do të mundësonte rritjen e prodhimit”.
Në këto vite, janë edhe minierat e tjera të kompleksit të Kishnicës ( Kishnica, Hajvalia, Badovci dhe Artana), të lënë totalisht jashtë përkujdesjes nga shteti e pushteti. Po bëhen diku 23 e sa vjetë qëkur këto xeherore ndodhen të përmbytura nën ujë, ndërsa infrastruktura përcjellëse, flotacioni dhe ndërtesat e administratës, gati të rrënuara nga mungesa e investimeve dhe përkujdesjes shtetërore. Dhe në këtë gjendje, të mjerueshme pra, të përmbytura, të katandisura egërsisht dhe të stërkequra nga moskujdesi total i dorës së shtetit dhe të pushtetit mbetën akoma këto miniera.
As kjo qeveri, tash e dy vjet, qëkur ka nis qeverisjen e vendit, sikundër edhe ato parapraket, që nga qeveria e përkohshme, nuk e ktheu asnjëherë të vetme kokën kah këto miniera, të dëshmuara për shtresa të pasura xehesh të plumbit dhe zinkut, madje me përmbajtjen më të pasur të xehes në rajon dhe më gjërë, siç ishte xeherorja e Hajvalisë, ku shtresat e xehes kanë përmbajtur metal edhe deri në 9 për qind.
Minierat tona, dikur krenaria jonë, praktikisht janë lënë dhe vazhdojnë të lihen nën mëshirën e fatit, të brejtjes së kohës, të vërshimeve dhe të dëmtimeve të tjera ordinere, që nuk kanë ndodhur në asnjë vend tjetër të botës. Thjesht nuk ka ndodhur kjo papërgjegjësi e skajshme institucionale ndaj pasurive nëntokësore, në asnjërin nga shtetet që pak a shumë kanë kaluar tranzicionin nga sistemi socialist në atë kapitalist tërësisht ngjashëm me ne.
Por ndodhi te ne, në Kosovën e pavarur, të lirë, të ëndërruar breza e breza të këtillë. Të gjitha horizontet e minierave të Kishnicës janë të përmbytura nën ujë. Nuk punon fare qe 20 e sa vjet Miniera e Hajvalisë, xeherore e veçuar për nga përqindja më e lartë e metaleve në trupin minerar. Nuk punon fare që nga 2000-shi as Miniera e Kishnicës, as ajo e Badovcit, as miniera sipërfaqësore e plumbit dhe zinkut në afërsi të drejtpërdrejtë të minierës së Kishnicës, ndërsa punon vetëm pjesërisht Miniera e Artanës (Novobërdos së dikurshme), dhe atë vetëm në horizontet 4 dhe 5, pasi që horizontet e tjera, gjashtë-shi, shtatë-shi dhe tetë-shi, janë të përmbytura nga uji, ndërsa këto horizontet e fillimit kaherë janë jashtë funksionit për shkak se xehja që kanë përmbajtur këto horizonte, kaherë është eksploatuar.
Buletini Ekonomik pati shpjeguar e sqaruar deri në detaje shkaqet dhe arsyet pse nuk punuan dhe pse vazhdojnë të mos punojnë sot e kësaj dite këto miniera qe 23 vjet? Dhe këto shkaqe janë banale, të bëjnë për ta kapur kokën. Për shkak të mungesës së nje pompe apo disa pompave për pompimin e ujit kanë mbetur tani e 23 vjet të përmbytura këto miniera. “Mungojnë pompat që 23 vjet për nxjerrjen e ujit nga horizontet, minierat janë dëmtuar goxha shumë nga uji, nuk ka pasur investime asnjëherë”, i pati thënë drejtori i Njësisë Biznesore Kishnicë-Artanë, i ulur në zyrën e tij në një objekt tjetër pranë atij të flotacionit, po ashtu në gjendje të rëndë, Buletinit Ekonomik.
Dhe pompat, por tani edhe ndonjë investim tjetër për pasoja të dëmeve të mëdha nga përmbytja dhe për ripërtritjen e pajisjeve të domosdoshme për miniera, vazhdojnë të mungojnë ende , thonë të mllefosur xehetarë të mbetur ende në punë në Kishnicë.
Ndërsa dihet dhe është më se e qartë se riaktivizimi i këtyre minierave, e sidomos i asaj të Hajvalisë ka përfitime ngazëllyese edhe për qytetarët e kësaj ane, edhe për Trepçën, edhe për institucionet, edhe për mbushjen e arkës së shtetit me fitime të mira edhe me punësimin e qindra punëtorëve të rinj. Dikur në vitet e para pas luftës, një pompë e këtillë fare lehtë ka mundur të sigurohet për 30 mijë marka gjermane, e shumë shumë me 50 mijë sosh. Prandaj, sot nga numri i madh i xeheroreve (12 sosh gjithsej, prej tyre 8 të metaleve, më saktësisht të plumbit dhe zinkut, dhe 4 miniera të jometaleve) që kanë funksionuar deri në vitet e luftës, në procesin e punës gjenden vetëm 4 miniera të plumbit dhe zinkut: Stantërgu, Artana (Novobërda) pjesërisht, dhe xeheroret: Bello Bërdo dhe Cërnac, në pjesën veriore të Kosovës (mu në kufirin me Serbinë). Në këtë mënyrë, statusi aktual i këtyre minierave pra është aktiv. Ndërsa, që nga paslufta, praktikisht janë mbyllur, ose nuk punojnë fare Miniera e Hajvalisë, ajo e Kishnicës, e Badovcit, sikundër edhe miniera sipërfaqësore në afërsi të Kishnicës, sikundër që nuk punojnë kaherë Deva, Karaqeva, Minierat e magnezitit në Golesh dhe në Strezovc dhe Miniera e boksiteve në Klinë./Buletini Ekonomik/











