Megjithëse është shtuar numri i banorëve në fshatrat e Rugovës edhe me hapjen e bizneseve të shumta hoteliere dhe gjithashtu është shumëfishuar numri i turistëve ditorë e shumëditorë, në këtë trevë ende vazhdon të mos ketë mjek, madje as mobil, në asnjërin prej 14 fshatrave të kësaj treve malore. Para luftës Rugova kishte një ambulancë në Kuqishtë, të cilës i janë zhdukur themelet, dhe dy të tjera, njëra në Drelaj dhe tjetra në Haxhaj. Të dy këto objekte janë rindërtuar pasluftës.
Derisa objekti i ambulancës në Drelaj nuk është në gjendje fort të keqe, ajo në Haxhaj është shkatërruar pa punuar edhe një ditë të vetme. Në vitet e pasluftës shërbimi mjekësor ka munguar fare në Rugovë. Në vitin 2009 Komuna kishte dërguar një ekip mjekësor në ambulancën në Drelaj, ku ka qëndruar prej fillimit të majit e deri në fillim të tetorit dhe më nuk kanë dalë. Herën e fundit kur kanë dalë mjekët në Rugovë ka qenë para shtatë vjetësh, kur për tre muaj është dërguar ekipi mobil mjekësor në ambulancën në Drelaj. Në vitin 2013 kur për herë të fundit kanë dalë mjekët në Rugovë, ka qenë në kuadër të një pilot-projekti më qëllim të funksionlizimit të mjekësisë primare. Por siç tregoi drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, ai projekt kishte dështuar për shkak të numrit të pamjaftueshëm të pacientëve të paraparë për të funksionuar një ambulancë e mjekësisë familjare. Vitet tjera në vijim më në Rugovë nuk ka dalë asnjë mjek, as gjatë sezonit të verës e as të dimrit, edhe pse vitet e fundit Rugova frekuentohet gjatë tërë vitit, për çka edhe janë shpeshtuar kërkesat e banorëve për funksionalizimin e njërës prej ambulancave.
“Në Rugovë ka mungesë të një qendre të mjekësisë familjare. Është e nevojshme shumë duke marrë parasysh numrin e banorëve dhe të turistëve. Kërkesa e jonë ka qenë e vazhdueshme që të funksionalizohet një ambulancë e përhershme. Kjo është më se e domosdoshme, sepse jeta është kthyer në këtë trevë dhe në gjitha fshatrat ka banorë e biznese. Nuk bënë të lihen gjitha këto fshatra pa shërbim mjekësorë sepse e shohim si të nevojshme ditë për ditë”, thotë Flamur Rexhbogaj, kryetar i Bashkësisë lokale “Rugova II”, që mbulon shtatë fshatrat e epërme të Rugovës. Për sivjet, duke e parë edhe vetë komuna numrin e rritur të banorëve dhe të turistëve, siç tregon drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, ishte planifikuar që njëra ambulancë të funksionalizohet në orar të përhershëm të punës, por për shkak të pandemisë, sipas tij, vështirë që sivjet mund të realizohet.
Loci, duke shpresuar që situata e pandemisë të kalojë dhe të krijohet mundësia që të ndërhyhet me rinovim të ambulancës në Haxhaj në vjeshtë dhe të përgatitet për stinën e dimrit, kur sipas tij edhe numri i vizitorëve në Rugovë është më i shumtë. Loci tregoi se pasi të rinovohet kjo ambulancë ajo do ta ketë mjekun, teknikun mjekësor dhe autoambulancën dhe do të punojë në orar të plotë nga ora 8 deri në ora 17.00.