Komunat vlerësojnë se kufizimi i lëvizjes nuk ka dhënë rezultat, kërkojnë rishqyrtimin e masave

Drejtuesit e komunave kanë vlerësuar se kufizimi i lëvizjes në qendrat kryesore dhe kufizimi i punës së gastronomisë nuk kanë dhënë rezultat në luftën ndaj përhapjes së COVID-19. Komunat, përmes Bordit të Asociacionit të Komunave, kanë kërkuar rishqyrtim të masave. Komunat kanë kërkuar që të hiqet orari i kufizimit të lëvizjes.

Asociacioni i Komunave ka vlerësuar se situata me COVID-19 vetëm është keqësuar. Ky asociacion i ka dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Reklama e sponzorizuar

Në letër thuhet se është koha për rishqyrtim të masave që janë në fuqi prej 5 korrikut “marrë parasysh që atë ditë ishin 3508 raste kurse më 23 korrik numri ka shkuar në 6467 raste”.

“Po shihet qartë që masat e parapara më 5 korrik nuk kanë dhënë efektin e dëshiruar dhe që këto masa duhet të rishqyrtohen. Kufizimi i lirisë së lëvizjes në komunat kryesore dhe masat që janë ndërmarrë për sektorin e gastronomisë (koha e aktivitetit të jetë e kufizuar nga ora 21:00 deri në pesë të mëngjesit), nuk paskan qenë masa përkatëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Prandaj kërkojmë që të hiqet orari i kufizimit të lëvizjes dhe të niset me lirimin e disa masave për gastronominë. Kërkohet që masat të rishikohen në mënyrë që parandalimi i përhapjes së COVID-19 të jetë më i suksesshëm”, thuhet në letrën e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Drejtuesit e komunave vlerësojnë se masat që janë në fuqi nuk kanë ndikuar në uljen e numrit të infektuarve, por po ndikojnë në ekonominë vendore. Sipas letrës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë duke shkuar drejt falimentimit.