Halil Krasniqi, drejtor teknik në Telekom, ka thënë se janë tri padi aktive nga Telekomi për kontratën me Z-Mobile.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se shumë nga faktet që kanë parë janë avulluar gjatë rrugës.
Krasniqi gjithashtu ka bërë të ditur se përpiluesi i kontratë, ish-puëntor i Telekomit, kishte dëshmuar në favor të Z-Mobile.
“Dëshmitarët kyç të kontratës nuk kanë shkuar të dëshmojnë. Nënshkruari i kontratës nuk ka shkuar fare të dëshmojë. Kurse përpiluesi i kontratës ka dëshmuar në favor të Z-Mobile, këto janë fakte. Në arbitrazhin e parë Telekomi është mbrojtë dobët. Në kohën kur janë dëgjuar dëshmitë në arbitrazh, ky që ka qenë kundër Telekomit s’ka qenë më punëtor i ndërmarrjes”, ka thënë Krasniqi.
E një ndër pikat kontestuese ai ka treguar kishte të bënte me shërbimet 3G-4G.
“Kontrata kontestuese ka pas sa i takon Telekomit me i dhënë shërbimet 3G-4G, kjo është një ndër pikat që ne jemi goditur më së shumti. Përpiluesi i kontratës ka thënë se qëllimi ynë kur e kemi bërë kontratë, edhe pse nuk është e specifikuar mirë, ka qenë t’iu japim Z-Mobile krejt çka kemi edhe ne, dhe kjo ka qenë vendimtare që me u dënuar Telekomi. Dëmi që na është faturuar neve veç për dy vjet të mosdhënies së shërbimeve 3G-4G është 26 milionë euro. Kurse Z-Mobile ka deklaruar fitim 5 milionë euro për dhjetë vjet operim me Telekomin e Kosovës. Ka fituar nga ne 26 milionë euro për 2 vjet që s’i kemi dhënë shërbim 3G-4G”, ka thënë Krasniqi. “Aktualisht janë tri padi aktive nga Telekomi për këtë kontratë, për të cilat nuk dimë në proces deri ku kanë arritur. Janë padi që menaxhmenti i kaluar i ka bërë. Ne kemi ngritë padi ndaj ‘nn personave’. Është edhe një padi ndaj personit që ka dëshmuar kundër Telekomit të Kosovës, që është Genc Lami”.
Sipas tij është injoruar pak dëmi që i është bërë Telekomit me këtë kontratë.
“Duhet të iu bëjmë qartë institucioneve që të merren me këtë. Ne po themi se kemi fakte të reja. Qeveria dhe Prokuroria janë ata që duhet me na dalë në ndihmë konkretisht. Takimet e nesërme do t’u sqarojmë këto që po themi. Do t’u bëjmë të qartë rrezikun që i kanoset këtij aseti. Kjo është jetike, nuk është më hajgare, janë bllokuar xhirollogaritë e kompanisë më të madhe telekomunikuese të Kosovës. Ne s’mundemi me iu treguar atyre hapat që duhet me i ndërmarrë”, ka thënë Krasniqi.