Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka emëruar një koordinator nacional për zbatimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit.
Në këtë pozitë është caktuar Ministri i Brendshëm, Agim Veliu, shkruan Reporteri.
Në vendimin e Qeverisë thuhet se koordinatori Veliu në detyrën e re do të këshillojë Kryeministrin lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit, dhe ekstremizmin e dhunshëm e radikalizmin.
Mirëpo, shefi i tij në Qeveri, Avdullah Hoti, dikur e quante “plaçkitje të buxhetit të shtetit” emërimin e një koordinatori kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Hoti, në një postim të vitit 2019, akuzonte qeverinë PAN se me emërime të tilla të koordinatorëve nacionalë po e plaçkitë buxhetin e shtetit.
“Vazhdon plaçkitja e buxhetit nga Qeveria e PAN-it
Sot në mbledhjen e Qeverisë u rrit numri i këshilltarëve në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, e cila edhe ashtu nuk ka kuptim të ekzistojë. Po ashtu, sot u caktua edhe një koordinator nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, megjithëse janë forcat e rendit dhe njësitë e specializuara kundër terrorizmit.
Kësaj nuk i thonë ndryshe veçse plaçkë derisa e kanë në dorë buxhetin e qytetarëve”, shkruante Hoti dikur.
Kujtojmë se disa koordinatorë nacionalë, ishin emëruar në Qeverinë Haradinaj, pozitat e të cilëve ishin shuar gjatë Qeverisë Kurti.
Javën e kaluar, Qeveria Hoti emëroi edhe një koordinator për dialogun me Serbinë.