Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, të premten (sot) do të vizitojë Shqipërinë, me ftesë të kryeministrit Edi Rama.
Kjo është vizita e tij e parë si kryeministër i Kosovës në Shqipëri. Zyra e kryeministrit njofton se Hoti do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pas takimit me homologun Edi Rama në Pallatin e Brigadave, në orën 10:00, dy kryeministrat rreth orës 11:15 do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp, raporton KOHA.
Deri më tani në mes Shqipërisë e Kosovës janë nënshkruar 77 marrëveshje, por që nuk kanë gjetur zbatim. Ndërkohë që me vendet e tjera të rajonit Shqipëria po zbaton hap pas hapi marrëveshjet e nënshkruara, me Kosovën ka një ngërç në zbatimin e marrëveshjeve. Në shkurt të këtij viti, sapo u votëbesua nga Kuvendi i Kosovës, ishkryeministri Albin Kurti ka vizituar Tiranën, ku është takuar me homologun shqiptar Edi Rama. Të dy kryeministrat u dakorduan që të çojnë përpara marrëdhëniet, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim të plotë dhe gatishmëri të plotë reciprokisht.
Ish-kryeministri Albin Kurti bëri të ditur gjatë vizitës në Tiranë se janë dakorduar që të formojnë një komision ndërshtetëror, i përbërë edhe nga ministra e deputetë që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani të zbatohen, por edhe të shtohen me marrëveshje të reja. Me këtë rast kryeministri Edi Rama lajmëroi mbledhjen e radhës së dy qeverive, e cila do të mbahej në Shkodër, në fund të marsit, por që nuk u mbajt për shkak të pandemisë së COVID19, por edhe për faktin se pesë ditë para 31 marsit Kuvendi i Kosovës ka votuar me shumicë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti.