Mbi 500 milionë euro i ka marrë Serbia nga Kosova prej Transmisionit por vendi ynë nga fundi i muajit korrik pritet t’i kontrollojë kufijtë e vet energjetik duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues Serbi-Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut dhe duke iu bashkuar bllokut rregullues të sistemeve energjetike Kosovë-Shqipëri.
Si rrjedhojë e marrëveshjes së re të kyçjes në mes të KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO), ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka thënë në një intervistë për KosovaPress, se shfrytëzimi i “Autostradës” energjetike 400 kv me Shqipërinë pritet të nisë në fund të muajit korrik ose në fillim të muajit gusht dhe përfitimet do të jenë të dy anshme.
“Në fund të korrikut ose në fillim të gushtit fillon procesi i implementimit të kësaj marrëveshje që është e rëndësishme për Kosovën, normalisht ne këtu marrim edhe disa obligime për të cilat duhet të jemi të kujdesshëm me i implementuar ato obligime për të cilat jemi zotuar, për ndryshe do ta humbim atë të drejt dhe më ajo marrëveshje nuk të vlejë. Pra, jemi të fokusuar që obligimet me këtë marrëveshjen ndërkombëtare t’i përfundojmë ne dhe institucionet tona”, theksoi Kuçi.
Nga mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje, Kosova vlerësohet se ka humbur deri në 12 milionë euro në vit, pasi inkasimi i tarifave të transmisionit të energjisë që kalon transit përmes Kosovës, është bërë nga Serbia në emër të Kosovës.
Kuçi ka folur edhe për gjendjen e rëndë të ndërmarrjeve publike dhe private të shkaktuara nga Covid-19, derisa thotë se në planin e Qeverisë për 2020-2023, është plani për rimëkëmbje ekonomike që pritet të miratohet edhe në Kuvend.
“Edhe pse po kemi probleme me procedurat drejt Kuvendit, ai duhet dhe është i obliguar t’i miratojë këto ligje sepse janë mjaft të nevojshme për jetën e qytetarëve në përgjithësi. Rënie ekonomike normalisht që kemi, edhe pse ende nuk e kemi të njohur këtë rënie dhe sa do të jetë. Ajo që është me rendësi qeveria është e fokusuar me të gjithë mekanizmat dhe instrumentet qeveritare janë të orientuara drejt zbatimit të planit për rimëkëmbje ekonomike”, thotë Kuçi.
Sipas tij, përmes donatorëve dhe buxhetit të shtetit, do t’iu dalin në ndihmë të gjitha ndërmarrjeve publike të cilat kryejnë shërbime për qytetarët.
“Problemi sikur te ndërmarrjet private, është edhe te ndërmarrjet publike, sepse është ndal procesi i kryerjes së obligimeve në raport me ndërmarrjet publike. Ose edhe kanë vështirësi, dhe ne jemi munduar që atyre t’i dalë në ndihmë si qeveri iu kemi dhënë një pjesë të mjeteve sa për shpenzime operacionale, të cilave iu mundësohet me kryer shërbime të veta që janë vitale për qytetarët, pra i kemi ardhur në ndihmë. Po ashtu ndihma jonë do të jetë prezentë edhe në të ardhmen”, deklaron ai.
Ndërsa, për ndërmarrjet publike të cilat shumica prej tyre janë duke operuar me borde të përkohshme dhe me ushtrues detyre për menaxhimin e tyre, Kuçi thotë se të gjithë ushtruesit e detyrës nëpër pozita menxheriale do të funksionojnë kështu derisa të vijnë bordet e rregullta.
Ai ka shtuar se nuk do ta shkarkojnë asnjë bord të përkohshëm që është emëruar nga Qeveria Kurti.
“Jo, sepse ato janë borde të përkohshme. Me ligjin për ndërmarrjet publike bordet e përkohshme janë të kufizuara me afat në aspektin kohor. Ato janë në funksion gjashtë muaj, ne këtë periudhë veç kemi filluar me procesin e rekrutimit të bordeve të NP-ve të rregullta, kurse ato borde përkohshme do të mund të marrin vetëm vendime të përkohshme, sepse ato janë zgjedhë jo me një procedurë të rregullt dhe jo konform kritereve ashtu siç përzgjidhen organet e rregullta”, thekson Kuçi.
Madje ai ka garantuar se të gjithë anëtarët e bordeve të rregullta do të zgjidhen konform ligjeve për ndërmarrjet publike, pasi edhe Qeveria Hoti ka nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Britanisë, për ta mbështetur këtë proces.