Kuvendi ka miratuar pesë projektligjet të hedhura në votë, për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Fjala është për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.
Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar ka kaluar me 84 vota për, njëjtë si edhe ai për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim është dashur të hedhet në votë dy herë, shkaku i mungesës së kuorumit herën e parë.
Ndërkohë, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020” kanë kaluar herën e parë, me 84 vota për.
Miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është përshëndetur nga kryeministri Avdullah Hoti. Ai ka falënderuar deputetët, të koalicionit dhe të opozitës, për votimin pro. Sipas Hotit këto marrëveshje ndihmojnë në zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. “Pres që në ditët në vijim të miratohen edhe rishikimi i buxhetit dhe ligji për rimëkëmbjen ekonomike, duke e kompletuar kështu të gjithë bazën ligjore për rimëkëmbjen ekonomike, që është shumë e nevojshme për qytetarë dhe biznese”, ka shkruar Hoti. Sipas tij qeveria do të bëjë maksimumin që sa më parë të nis zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike.
Nuk kalon rezoluta anti-COVID e Vetëvendosjes
Shkaku i mospjesëmarrjes në votim, rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje për menaxhim të pandemisë, nuk ka kaluar në Kuvend.
Në sallë të pranishëm kanë qenë 84 deputetë, por në votim kanë marrë pjesë vetëm 25 prej tyre.
Nuk kalon as rezoluta anti-COVID e PDK-së
Shkaku i mospjesëmarrjes në votim, nuk ka kaluar në Kuvend rezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës për menaxhim të pandemisë.
Në sallë të pranishëm kanë qenë 71 deputetë, por në votim kanë marrë pjesë 21 prej tyre.