Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së sotme, ka zgjedhur dy drejtorë të bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, (KOSTT) por jo edhe anëtarët e saj.
E një praktikë u pa për herë të parë në Kuvend, ku është votuar ndaras për kandidatët burra dhe gratë, në mënyrë që të sigurohet barazia gjinore në bord. E në këtë bord, vota më shumë morri, Jeton Mehmeti, gjithsej, 63 vota të deputetëve.
Mehmeti nga komisioni vlerësues ishte vlerësuar me 29 pikë nga 30 sa ishte totali, duke u renditur i dyti në mesin e kandidatëve të intervistuar. Kurse, drejtor i bordit është zgjedh edhe Arben Dodaj me 56 vota të deputetëve. Dodaj ishte i 11-ti në listën e kandidatëve pas intervistimit, duke marrë vetëm 21 pikë.
Kandidatët e tjerë nuk kishin arritur të marrin vota të mjaftueshme të deputetëve për tu zgjedhur. Sipas procedurës për pozitën e tretë për anëtar të Bordit nga kandidatët burra, po përsëritet votimi.
Nebi Zariqi me 42 vota dhe Kushtrim Krasniqi me 21 vota, shkojnë në rivotim për pozitën e tretë. Kurse, asnjëra nga kandidatet femra nuk ka arritur t’i fitoj votat e mjaftueshme. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se do të rishpallet konkursi për pozitat e lira për gra në bordin e KOSTT-it.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku Kastrati, ka lexuar 12 emrat të cilët do të votohen në Kuvend, për tu zgjedhur kryesues dhe anëtar të Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes KOSTT. Sipas Malokut kryesues do të jetë kandidati me më shumë vota.
Maloku tha se Kuvendi i rekomandon qeverisë të shpall konkurs edhe për një drejtor të Bordit të ndërmarrjes KOSTT për të plotësu pozitën vakante për përfaqësuesin jo shumicë. Me një votë kundër dhe shumicën absolute për, është formuar komisioni për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të KOSTT-it.
Deputetja nga Grupi Parlamentar i Lëvizës Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lia tha se me kërkesë të tyre, është bërë që barazia gjinore të respektohet në këtë rast.
Votimi për bordin e drejtorëve të KOSTT-it është bërë me votim të fshehtë, ndërsa në panelin zgjedhor janë caktuar: Salih Zyba nga LVV-ja, Ilir Tasholli nga LDK-ja, nga PDK-ja është propozuar deputeti Sejdi Hoxha, nga AAK-ja deputetja Teuta Haxhiu, nga Lista Serbe Branislav Nikoliq, nga 6+ është propozuar Fidan Hilta.