I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se “diskutimet politike të kësaj jave (Kosovë-Serbi) në nivel ekspertësh mbi personat e zhdukur dhe personat e zhvendosur ishin produktive dhe konstruktive”.
“Mezi presim raundin tjetër të bisedimeve ndërmjet ekspertëve”, ka thënë Lajçak, duke paralajmëruar vazhdimin e dialogut së shpejti, por pa dhënë një datë.
Më 16 korrik, kryeministri Avdullah Hoti u takua në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky ishte takimi i parë, pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut.
Pas këtij takimi, delegacionet e ekspertëve të të dyja vendeve, më 23 korrik u takuan në Brusel. Në këtë takim Kosova u përfaqësua nga koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni dhe palën serbe e përfaqësoi, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Paralajmërimet se ky takim i ekspertëve nënkupton rinisjen e dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe që u pasua më pas me dialogun në nivel politik – nuk është mirëpritur në Prishtinë.
Të premten, pas një takimi ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit Hoti, u tha procesi i dialogut nuk duhet të rrëshqasë në nivel teknik.
Presidenti Thaçi tha se një marrëveshje finale me Serbinë, që do të përmbante njohje reciproke, nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Aty ku nuk janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës jam skeptik se mund të ndodhë njohja reciproke apo e di saktësisht e di që nuk ndodh. Andaj, jetike për ne si Kosovë është që në tavolinë të jetë SHBA-ja, natyrisht bashkërisht me Bashkimin Evropian”, tha presidenti Thaçi.
Ndërkaq, kryeministri Hoti tha se beson që marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon. Sipas tij, përmbyllja e këtij procesi – që nisi më 2011 – mund të përmbyllet në muajt e ardhshëm, pasi siç u shpreh ai ka një “momentum të mirë” për këtë.