Murati: Nuk ka pako të rimëkëmbjes ekonomike

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka thënë në Interaktiv të KTV-së se përmes rishikimit të buxhetit shihet se nuk ka pako të rimëkëmbjes.

“Është e buxhetuar një kategori aty që thotë: 385 milionë euro – pako e rimëkëmbjes. Por, tash kemi një problem edhe ligjor e edhe përmbajtjesor me këtë 385-milionëshin”, ka thënë ai.

Murati ka sqaruar se problemi në anën ligjore është që është kërkuar shmangie prej nenit 30 të Ligjit për Menaxhimin e Finacave Publike.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo shmangie është e paligjshme, për shkak se Ligjin e Menaxhimin e Financave Publike mbizotëron çfarëdo ligji tjetër nëse ka mospërputhje dhe konflikt të neneve me ndonjë ligj tjetër. Pra nuk mundesh me një nen në ligjin buxhetit me e shmang një nën tjetër në Ligjin për Financa Publike”, ka thënë Murati.

E si ka thënë ai, problemi, kur është në pyetje ana përmbajtjesore, qëndron në këtë drejtim: “Ky 385-milionëshi, çfarë kanë kërkuar këta, kanë thënë: Po e buxhetojmë një shifër aty dhe me këtë nenin e shmangies, t’i mundësohet Qeverisë që t’i shpenzojë paratë si të dojë. Për nga ana përmbajtjesorë, kur i kam pyetur ata nëse mund ta shpërndajnë këtë 385-milionëshin nëpër ministri, nëpër kategori dhe nëpër programe që të tregohet se sa do të shkojnë për qytetarë, sa do të shkojnë për pensionistë e mjekë”, ka treguar Murati, duke shtuar se këtë shqetësim e kishte ngritur qysh nga mbledhja e parë e Komisionit për Financa, duke kërkuar që një gjë e tillë të rregullohet, por se kjo nuk ishte bërë.

“Janë dy lloj arsye kryesore rreth mospranimit: Njëra arsye lidhet me atë që po e them se nuk ka pako të rimëkëmbjes. Vetëm është krijuar mirazh”, ka thënë ai.

Sipas Muratit, prej këtij 385-milionëshi, rreth 190 milionë euro janë pako emergjente fiskale e Qeverisë Kurti.

“Por, në mënyrë që pakoja e rimëkëmbjes të duket më e madhe sesa që është, i kanë bërë të dyjat bashkë dhe e kanë emërtuar pako e rimëkëmbjes. E realisht, këtu janë dy pako në një. Tash, nëse hiqet 190-milionëshi, mbesin 195 milionë tjera”, ka thënë ai, teksa ka thënë se përmes zbërthimit të kësaj shifre, mund të shihet se sa para realisht mbesin.

“Prej 195 milionëshit, janë rreth 70 milionë euro janë të parapara si investime me klauzolën e investimeve kredi. Është një përjashtim, një rregull i dakorduar me FMN-në, ku qeveria mund ta tejkalojë deficitin për një shumë të caktuar çdo vit, në rast se merr kredi prej institucioneve financiare ndërkombëtare dhe i investon në investime kapitale. Ky 70 milionëshi nuk ka të bëjë fare me COVID. Këto janë kredi që janë kontraktuar më herët, janë kredi për MI, është edhe kredi e paraparë për MSH-në, por s’ka të bëjë me pako të rimëkëmbjes”, ka treguar ai.

Murati ka vazhduar më tutje, duke thënë se kur hiqet ky 70 milionësh, mbesin 125 milionë euro.

“Prej këtij 125 milionëshi, 100 milionë euro janë të parapara fonde nga AKP-ja, të cilat ende nuk i ka marrë Qeveria dhe as nuk mundet me i marrë pa ndryshime tjera ligjore. Edhe nëse ka ndryshime, ky 100 milionësh është në ajër”, ka thënë ai.

Murati: Rimëkëmbja ekonomike në rend të dytë, numri i të infektuarve është i lartë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se nuk është koha të flitet për rimëkëmbje ekonomike në kohën kur numri i të infektuarve është shumë i madh.

Ai ka thënë se në Qeverinë e udhëhequr nga Kurti, vetëm dy ditë ka kaluar shifra mbi 50 e të infektuarve, duke shtuar se masat e marra nga Qeveria Hoti janë kundër çdo logjike.

“Në qeverinë Kurti ka ndodhur vetëm dy herë që ka pasur tejkalim të numrit të të infektuarve mbi 50 dhe sa herë ka mbërri kjo shifër është bërë e madhe, kanë alarmuar se Qeveria nuk po e menaxhon si duhet. Kurse tash, që sa javë shifra nuk zbret nën 200 dhe çfarë bëhet, thonë se po marrin masa, nga ora 21:00 po e lejojnë lëvizjen e qytetarëve deri në 22:30. Kjo është kundër logjikes”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rimëkëmbja është planifikuar në maj nga Qeveria Kurti, kur rastet ditore patën rënë nën 10, derisa shton se tashmë kanë dalë shifrat nga kontrolli dhe nuk mund të flitet për këtë temë.

Ai ka thënë se testimet tregojnë për mbi 200 të infektuar në ditë porse shifrat mund të jenë shumë më të larta.

Murati ka shtuar se tash nuk duhet të flitet për rimëkëmbje ekonomike, por duhet diskutuar për pako emergjente të dytë.

“Nuk mund të flasim tash për rimëkëmbje ekonomike duke ofruar qasje në financim, me garantu kredi, sepse askush nuk mund të marrë kredi kur ka probleme me pagesë të borxheve”, ka thënë ai.

Murati: Joseriozitet në menaxhim me pandeminë nga ana e Qeverisë

Deputeti i Lëvizjes Vetvendosje, Hekuran Murati ka thënë në Interaktiv të KTV-së se qeveria e kryesuar nga Avdullah Hoti ka treguar joseriozitet në menaxhimin e pandemisë. Ai njëkohësisht e ka quajtur “ilegale” atë.

“Është edhe ilegale, pasi që nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për t’u krijuar dhe po i shohim edhe rezultatet, pra kemi thyerje të rekordeve çdo ditë sa i përket shifrave të të infektuarve”, ka thënë ai.

Ai megjithatë ka shprehur mendimin se shifrat nuk e pasqyrojnë gjendjen reale.

“Prapë mendoj se të infektuar ka shumë më shumë, por problemi është që pasi nuk ka testime më shumë, po figuron aty… pra ajo shifër është stabilizuar diku te 200-250 persona të infektuar në ditë”, ka thënë ai.

Murati po ashtu e ka akuzuar Qeverinë për dështimin në menaxhimin e ekonomisë.

“Pra hapja ndodhi e shpejt pa kurrfarë kufizimi dhe pa monitorim. E vërtetë është se gjatë Qeverisë Kurti ekonomia pat filluar të hapej, por ka qenë në faza dyjavore dhe në vazhdimësi është monitoruar dhe është bërë vlerësimi se a ka mundësi tash të hapet faza tjetër”, ka sqaruar ai.

Murati ka shtuar se ndonëse hapja kishte filluar më 3 maj, dhe ka qenë në tri faza “ne e patëm parë që rastet e të infektuarve ishin në rënie”.

Ai ka thënë se Qeveria tani po “improvizon” me masa.

“Ata as që po e dinë se çfarë po bëjnë, se unë kam qenë në 2 takime me ministrin Vitia asokohe dhe e di se çfarë diskutimi i thellë është bërë para se të dilet me një vendim rreth masave. Tani, po i kopjojnë disa prej vendimeve, por meqë nuk janë vetë origjina e vendimit, nuk e dijnë as përse janë marrë dhe as se si janë marrë ato vendime”, ka thënë ai.

Murati po ashtu ka folur për “nështrimin total” ndaj grupeve të ndryshme.

“Për shembull kemi ndalim të sportit të hapur, e lejim të hapësirave të mbyllura”, ka thënë ai.

Sipas Muratit, vetëdijesimi varet edhe nga prezantimi që bëhet.