Ndërprerja e shërbimeve nga Telekomi “çështje ditësh”, Kuçi takon bordin e sindikatën

Me bllokimin e llogarive të Telekomit, kjo ndërmarrje nuk mundet edhe gjatë të ofrojë shërbimet e saj.

Mes të tjerash, sipas drejtorit teknik, do të ketë pasoja edhe për sigurinë shtetërore.

Për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, Sindikata e Telekomit të Kosovës është takuar me ministrin e Ekonomisë.

Reklama e sponzorizuar

Kryetari i Sindikatës, Lamih Balaj thotë se ka kërkuar nga ministri që deri të premten të zhbllokohen llogaritë.

Përveç Sindikatës, edhe Bordi i kësaj ndërmarrjeje publike është takuar me ministrin Blerim Kuçi. Bordi përmes një komunikate ka thënë se i kanë shteruar të gjitha veprimet konkrete që është dashur t’i marrin në bazë të përgjegjësive që u takojnë, ndërkohë që presin që ministri Kuçi të ndërmarrë hapa konkretë për të shpëtuar Telekomin.

“Ne anëtarët e Bordit i kemi shteruar të gjitha veprimet konkrete në këtë drejtim në baza të përgjegjësive dhe detyrave fiduciare që na janë ngarkuar. Për këtë arsye, si të vetmen mundësi për të dalë nga kjo situatë e shohim përfshirjen e Aksionarit. Në takimin e sotëm ne hasëm në përkrahjen e ministrit Kuçi dhe u siguruam që Ministria e z. Kuçi do të ndërmarrë të gjitha hapat dhe veprimet konkrete për të dalë nga kjo situatë, e cila është alarmante, duke kontribuar që të shpëtohet Telekomi i Kosovës Sh.a”, shkruan në komunikatën e tij.

E sipas Ministrisë së Ekonomisë, hap konkret për zgjidhjen e këtij problemi janë takimet me palët e përfshira. Sipas një përgjigje që ka marrë KOHA nga kjo ministri, pritet që takime të ketë edhe me përfaqësues të “Z-Mobile”.

“Takimet janë me gjithë akterët që janë të përfshirë në një ose formë tjetër në këtë proces. Këtu përfshihen edhe operatori ekonomik “Dardafone.net”. Pra, do të takojmë të gjithë vetëm që të arrijmë qëllimin e zhbllokimit të xhirollogarive dhe që Telekomi i Kosovës të vazhdojë punën sa më mirë që mundet”, është thënë nga kjo ministri.

Por, Lëvizja Vetëvendosje bllokimin e llogarive po e sheh si të qëllimshëm.

Më 15 korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka njohur të drejtën Dardafon.net/Z mobile për përmbarimin e borxhit që Telekomi i ka kësaj kompanie, sipas vendimit të Arbitrazhit, e që është 24.6 milionë euro.