15 punëtorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) kanë përfituar nga 100 shpërblim përmes një vendimi të jashtëligjshëm të ish-ministrit Ekrem Mustafa, të marrë me 28 dhjetor të vitit 2018.
Këtë gjetje, Auditori i Përgjithshëm e ka cilësuar në kundërshtim me ligjin, në raportin e auditimit për MPB-në të vitit 2019.
Këto mjete punëtorëve iu ndanë, sic thuhet në vendim, “për kontributin e dhënë në përmbushjen e objektivave të ministrisë”.
“Përmes këtij vendimi ishin shpërblyer 15 punonjës të shërbimit civil nga kategoria Subvencione dhe Transfere. Kjo ka ndodh për shkak të mos përfilljes së kërkesave ligjore nga menaxhmenti i ministrisë”, thuhet në raportin e Auditorit.
Sipas Auditorit, arsyetimi i ministrisë në vendim nuk është i bazuar në Ligjin nr. 03/L-147 për pagat e nëpunësve civilë, ku specifikohen rastet se kur mund të kompensohen punëtorët.
“Neni 20 kompensimi i pagës, përcakton: nëpunësit civilë kanë të drejtë të marrin kompensim të pagës në këto raste: 1.1. kompensim për punë jashtë orarit të rregullt gjatë ditëve të punës; 1.2. kompensim për punë jashtë orarit gjatë fundjavës dhe 1.3. kompensim për punë jashtë orarit gjatë festave zyrtare; 1.4. kompensim për pushim vjetor; 1.5. kompensim për kohën e paaftësisë së vërtetuar të përkohshme për shkak të sëmundjes; 1.6. kompensim gjatë shtatzënësisë dhe lehonisë; 1.7. kompensim në rast të shfrytëzimit të pushimit të veçantë me pagesë; 1.8. kompensim në rast të perfeksionimit profesional të specializuar për nevojat e organit ose të shtetit”.
Vendimi i ministrit Mustafa nuk ishte mbështetur në asnjërën prej këtyre dispozitave ligjore.
Sipas Auditorit, kompensimi me para i punonjësve jashtë sistemit të pagave ndikon në rritjen e shpenzimeve të ministrisë dhe shmang pagesën e kontributeve dhe tatimeve të obliguara me ligj.
“Ministri të siguroj se kompensimet e stafit bëhen vetëm në rastet e parapara me ligjin e pagave dhe të ndërpres praktikat e tilla të shpërblimeve pa bazë ligjore. Për më tepër, mjetet nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve të ndahen sipas destinimit për të cilin janë alokuar dhe në pajtim me kërkesat ligjore”, konstaton Auditori. /Buletini Ekonomik/