Në Maqedoni të Veriut gati çdo i dhjeti i testuar del me COVID-19

Shifra e të infektuarve me COVID-19 duket e lartë, por e lartë është edhe shifra e testimeve të bëra.

Në Maqedoni të Veriut të martën janë raportuar 135 raste të reja me koronavirus. Është afërsisht një e dhjeta e testimeve të bëra.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë të Veriut në 24 orët e fundit janë bërë 1259 testime. Ky numër i testeve ka “prodhuar” 135 raste të reja.

Reklama e sponzorizuar

76 raste janë raportuar në Shkup e 13 në Tetovë. Kanë vdekur katër pacientë.

Më shumë se raste të reja ka pasur të shëruar – gjithsej 142.

Në Maqedoni të Veriut, sipas të dhënave zyrtare, janë testuar 79 mijë e 392 persona deri më tani.

Të hënën ishin testuar 973 mostra e ishin 88 raste të reja. Pra më pak se një e dhjeta. Të dielën ishin bërë 991 testime kurse ishin 136 raste.

Më pak testime po bëhen në Kosovë.

Të hënën mbrëma është raportuar për testimin e 424 mostrave, që kanë rezultuar me 187 raste me COVID-19. Pra gati gjysma. Sipas njoftimit të IKSHPK-së, po testohen “mostrat e marra nga SHSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren”.

“Numri total i rasteve pozitive është 5118 nga 28.640 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2”, thuhet në njoftimin e fundit të IKSHPK-së.

Të dielën në Kosovë ishin testuar 493 mostra kurse ishin konfirmuar 216 raste. Të shtunën ishin 203 raste e 419 testime.

Në Mal të Zi të hënën ishte njoftuar për 479 mostra të testuara. Ato rezultuan me 66 raste të reja. Afro 25 mijë testime janë bërë deri më tani në Mal të Zi, sipas të dhënave zyrtare.