Qyteti shqiptar në Mal të Zi, Ulqini, është prej destinacioneve të pëlqyera turistike për qytetarët e Kosovës. Por për shkak të pengesave në kufi, pak kosovarë po pushojnë aktualisht në këtë qytet bregdetar. Dhe kjo, ndër të tjera, ka ndikuar që numri i turistëve në Ulqin të jetë fare i vogël.
Sipas të dhënave zyrtare, në Ulqin aktualisht janë duke pushuar 2000 turistë. Sipas gazetës malazeze “Vijesti”, ky numër është 20 herë më i vogël se ai i turistëve që ishin vitin e kaluar në periudhë të njëjtë.
Vjet në të njëjtën kohë në Ulqin ishin afro 42 mijë turistë, sipas të dhënave të agjencisë lokale turistike.
“Më së shumti mysafirë janë të paraqitur në akomodim privat, më shumë se 1600. Në hotele po qëndrojnë 380 turistë, ndërsa në kampe 21. Prej numrit të përgjithshëm, mysafirë të vendit janë 157, kurse të huaj 1859”, ka njoftuar Vijesti.
Situata me koronavirus natyrisht është arsyeja kryesore për këtë rënie të jashtëzakonshme. Për kosovarët hyrja në Mal të Zi lejohet vetëm duke prezantuar një test negativ për COVID-19. Për shumë shqiptarë që jetojnë në vendet evropiane hyrja në Mal të Zi nuk është e ndaluar. Por shumica e shqiptarëve që jetojnë në Evropë kanë limituar edhe pushimet në vendlindje për shkak të gjendjes së krijuar, përkatësisht rritjes së madhe të shifrave të të infektuarve në javët e fundit.