Tri infermiere të Klinikës së Pulmologjisë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre është stabile. Ndërkohë në këtë Klinikë po trajtohen 22 pacientë të infektuar me Covid-19. E në gadishmëri janë 68 shtretër vetëm në Pulmologji për pacientët e prekur me koronavirus.
Por, në këtë klinike po alarmojnë se kapacitetet si në staf ashtu dhe në shtretër janë duke u shterur. Kryeinfermierja e Klinikës Arta Sejdiu ka thënë se aty ka shume infermiere të infektuara pa dhënë numrin e saktë. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të kene kujdes sepse edhe stafi mjekësor po rrezikohet, shkruan Gazeta Express.
Pulmologu i kësaj Klinike, doktor, Besim Morina në një prononcim për Express ka sqaruar se ka një numër të madh të pacientëve që janë të shtrirë në Pulmologji si të infektuar me Covid-19, por edhe të tjerë që janë në pritje të bërjes së testeve e që kanë dyshime që janë prekur nga ky virus.
“Na kanë njoftu vetëm për tri raste të personelit shëndetësor që janë prek nga COVID-19 NË Klinikën tonë. Ato janë në gjendje stabile. Janë izolu. Në klinikën tonë ka pacientë të shtrirë që janë të infektuar me Covid-19. Mbi 22 persona janë të konfirmuar me koronavirus e që janë të shtrirë. Ka edhe tjerë pacientë që janë në pritje të testimit e që janë të dyshuam se janë të prekur me Covid-19”, thotë Morina.
E drejtoresha e kësaj Klinike, Rukije Morina, ka sqaruar se Pulmologjia në dispozicion i ka 68 shtretër si dhe dermatologjia 32 shtretër për pacientët e infektuar me Covid-19.
“Ne i kemi 68 shtretër, plus Klinika e Dermatologjisë 32 shtretër, do të thotë përafërsisht 100 shtretër. Mirëpo, në qoftë se kemi raste të reja të cilat janë të dyshimta dhe ende nuk kemi rezultat atëherë ato raste e zënë nga një dhomë që do të thotë nëse janë 6 pacientë, 6 dhoma janë nga një pacient dhe menjëherë automatikisht më zvogëlohet numri.
Ndërsa, rastet të cilat janë COVID pozitiv ato mund t’i vendosim në një dhomë, ka dy, tri raste varësisht prej kapacitetit, varësisht prej numrit të cilët vijnë”, tha ajo.
E QKUK tashmë ka zgjeruar kapacitetet e saja në shtretër dhe në staf për t’i hospitalizuar pacientët e infektuar me Covid-19.
Numri total i rasteve pozitive në vendin tonë është 2.878 raste, me gjithsej 51 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, ndërsa janë shëruar 1.577 pacientë.