Qeveria nuk e ka në plan të bëjë teste masive për COVID-19

Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë testime masive në 2020-n, pavarësisht shkallës së infektimit të qytetarëve me virusin SARS-CoV-2. Deri në fund të vitit ajo ka në plan t’i blejë jo më shumë se 100 mijë teste që identifikojnë praninë e virusit, e të cilat janë të mjaftueshme për ta testuar vetëm 5-përqindëshin e popullatës, nën kushtin se një qytetar nuk testohet më shumë se një herë.

E dhëna ndodhet në Planin e veprimit për testimet COVID-19, i miratuar fundjavën e shkuar nga Qeveria, e një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA.

Objektivi specifik i parë, i listuar në këtë dokument, është rritja e shkallës së testimit me RT-PCR, metodë që ka shkallë të lartë saktësie në identifikimin e të prekurve me virusin SARS-CoV-2. Mes aktiviteteve për ta përmbushur këtë objektiv është edhe blerja e testeve RT-PCR. Në këtë plan është theksuar se gjatë 2020-s do të sigurohen 100 mijë të tilla, e për vitin e ardhshëm edhe 120 mijë të tjera. Kostoja për to është llogaritur të jetë 4.4 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar