Reagon Prokurori i Shtetit ndaj pretendimeve të GLPS-së, në çështjen e Telekomit janë zhvilluar dy raste penale

Prokurori i Shtetit ka reaguar ndaj pretendimeve të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), duke njoftuar se në lidhje me çështjen e Telekomit janë zhvilluar dy raste penale.

Të hënën GLPS-ja, kishte reaguar me rastin e Telekomit, duke shkruar se: “Heshtja e Prokurorisë së Shtetit ndaj situatës afër bankrotimit të Telekomit të Kosovës është treguar i kapjes kriminale dhe shpërdorimit që i është bërë ndër vite kësaj ndërmarrje publike”.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se lidhur me këtë çështje janë zhvilluar dy raste penale. Prokuroria Speciale e EULEX-it kishte ngritur aktakuzë në vitin 2011 ndaj pronarëve dhe përfaqësuesit ligjor të operatorit Dardafone.net Sh.p.k., si dhe ndaj Kryeshefit Ekzekutiv dhe Kryetarit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, lidhur me marrëveshjen për operatorin e rrjetit mobil të arritur ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it, ku pas zhvillimit të procedurës penale ky rast ka marrë epilog përfundimtar gjyqësor. Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj menaxhmentit të PTK-së në vitin 2018 nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i njohur si rasti ‘Z-mobile’, konkretisht dy kryeshefave ekzekutivë të PTK-së dhe kryetarit të Bordit të Drejtorëve, procedurë kjo, që është zhvilluar në shkallën e parë. Ndërsa, duke aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim, ku dhe pritet që pranë gjykatës së shkallës së parë të zhvillohet edhe një herë procedura gjyqësore lidhur me akuzën e prokurorit për këtë rast”, është thënë në reagimin e Prokurorit të Shtetit.

Reklama e sponzorizuar

Prokurori i Shtetit po ashtu ka njoftuar se ka pranuar edhe lëndë të tjera lidhur me Telekomin, ku tanimë janë duke u zhvilluar edhe disa procedura penale.