Koncesionari i aeroportit të Kukësit kërkon në ERE licencë tregtimi për energji

Kompania që zotëron 100% të Aeroportit të Kukësit, Global Technical Mechanics duket se kërkon të zgjerojë aktivitetin e tij në sektorin e energjisë.

Bordi i Entit Rregullator në mbledhjen e fundit të datës 4 korrik njoftoi se do të fillojë “procedurën për licencimin e shoqërisë “GLOBAL TECHNICAL MECHANICS” shpk, në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike”.

Reklama e sponzorizuar

Duke ndjekur procedurën standarde Enti njoftoi se do të priste opinione dhe komente nga palë të interesuara deri në datë 14 korrik.

Pas kësaj procedohet me vlerësimin e dokumenteve dhe kushteve që plotësohen nga pala që ka kërkuar licencimin deri në finalizimin për dhënien apo refuzimin e saj.

Sipas përshkrimit kompania do të mund të kryejë ndër të tjera studim, projektim, zbatim, prodhim dhe tregtim i energjisë elektrike nga burime alternative si sistemet fotovoltaike, parqet e eres, termocentralet, biomasa etj.

Implementimi dhe menaxhimi i projekteve gjeneruese (fotovoltaike, eolike, hidrike) të energjisë elektrike, të cilat shfrytëzojnë burimet e rinovueshme te energjisë elektrike si dielli, era, uji si dhe i veprave te tyre ndihmese.

Po kështu pjesë e përshkrimit të aktivitetit është edhe shitja me shumicë dhe pakicë e energjisë elektrike tek operatoret, furnizuesit, tregtaret, konsumatorët e energjisë elektrike (vendas apo të huaj), si dhe në Bursën Shqiptare te Energjisë Elektrike (ALPEX), apo Bursa te tjera te energjisë jashtë vendit.

Sektori i energjisë ka një rritje të vëmendjes sidomos gjatë dy viteve të fundit për shkak të krizës e cila ka nxitur investime në funksion të diversifikimit por edhe për shkak të fitimit. Kompanitë që kishin tregim energjie apo prodhim në fokus të tyre gjatë vitit 2022 ishin në krye të listës së kompanive me fitim më të lartë në Shqipëri sipas të dhënave zyrtare të Tatimeve.

Ndërkohë nisja dhe funksionimi i bursës ALPEX ka bërë që një pjesë e mirë e këtyre kompanive tashmë të nisin të regjistrohen në të edhe pse volumet që tregtohen mbeten ende të vogla. /Monitor.al/