Rritja e numrit të vdekjeve me Covid-19, dyshohet se dështoi sistemi i oksigjenit në Infektivë

Një numër i shtuar i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është vërejtur sot pranë Klinikës Infektive në QKUK, me ç’rast janë bllokuar edhe hyrjet për në këtë klinikë.

Ekipet e Mjekësisë Ligjore janë parë pranë Klinikës Infektive duke bartur katër kufoma në raste të ndara.

Reklama e sponzorizuar

Klan Kosova përmes një burimi mëson se ka dyshime për mosfunksionim të sistemit të oksigjenit që i furnizon respiratorët.

Sipas këtij burimi, zyrtarë nga QKUK e kanë ftuar Policinë për të hetuar nëse kjo është arsyeja e rritjes së numrit të rasteve të vdekjes me Covid-19.

Kujtojmë se vetëm dje (04.07.2020), Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se janë regjistruar 178 raste të reja me Covid-19. Po ashtu gjatë ditës së djeshme kanë ndërruar jetë 8 persona të prekur nga ky virus.